Nga zgjedhjet e mëhershme | Foto: KALLXO.com

PDK-ja Shkon Vetëm në Balotazhin e Drenasit

PDK-ja në balotazhin e Drenasit ku kandidati i saj Ramiz Lladrovci do të garojë kundër Isa Xhemajlajt të Nismës do të shkojë vetëm dhe pa bashkëpunim me të tjerët.

“Kurrkujt s’i kemi bërë kurrfarë oferte. Vetë shkojmë. Vetë i kemi gati 20 për qind ma shumë. Është çështje e tyre kah orientohen,” tha sekretari i PDK-së Basri Musmurati për KALLXO.com.

Bashkëpunimet e mundshme nuk i bëri publike as Nisma për Kosovën, edhe pse ky subjekt është i interesuar të marrë mbështetjen e atyre që garuan krahas LLadrovcit e Xhemajlajt.

“Kryetari Limaj së bashku me kandidatin Isa Xhemajlaj kanë autoritetin e plotë që të bisedojnë me partitë të cilat kanë marrë votat për ndryshim, që të ndërtojnë një plan të përbashkët që vullnetin e qytetarëve të Drenasit për ndryshim ta çojnë deri në fund. Besoj që ditëve në vijim do të bëhen publike marrëveshjet eventuale,” tha sekretari i Nismës për Kosovën Billal Sherifi për KALLXO.com.

Këtë të diel të pakënaqurit e PDK-së që e krijuan Nismën për Kosovën e kanë çuar për herë të parë Komunën e Drenasit në balotazh zgjedhor.

Në këtë komunë deri tash gjithnjë ka fituar në raundin e parë të zgjedhjeve kandidati i PDK-së, por këtë herë Ramiz Lladrovci më 4 dhjetor mori rreth 44 për qind të votave të atyre që kryen këtë obligim qytetar.

http://kallxo.com/renia-e-pdk-2013-2016/

Sekretari i PDK-së Basri Musmurati e pranon që kjo parti mori më pak vota, por beson në fitore.

“Unë jam i bindur që kemi me fitu, qysh i kemi fitu edhe tash. Është e vërtetë që kemi rënë me vota e më përqindje. Është situatë e re, është krejt normale, por në balotazh, mobilizohen ma shumë njerëzit dhe zakonisht në balotazh kandidatët marrin më shumë vota sesa që ka fitu në raundin e parë,” tha Musmurati.

Me 18 dhjetor qytetarët e Drenasit do t’u kthehen edhe njëherë kutive të votimit për të zgjedhur të parin e komunës së tyre për afro 10 muaj deri sa të mbahen zgjedhjet lokale në të gjitha komunat.

Isa Xhemajlaj nga Nisma dhe Ramiz Lladrovci nga PDK-ja, do të jenë emrat e vetëm në fletëvotimet e 18 dhjetorit.

http://kallxo.com/rundi-dyte-zgjedhjeve-ne-drenas-18-dhjetor/

Edhe pse kandidati i Nismës siguroi balotazhin, kandidati i Iniciativës Qytetare për Drenasin nga e cila u krijua Nisma në këtë komunë, në zgjedhjet e 2013-ës mori më pak vota në Drenas.

http://kallxo.com/dallimi-ne-vota-nisma-s-2013-2016/

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit janë thirrur për shkak se ish kryetarit të komunës, Nexhat Demaku, muajin e kaluar Gjykata e Apelit ia vërtetoi një dënim në një akuzë për krime të luftës.

Në to kishin të drejtë vote rreth 53 mijë qytetarë, ndërsa sipas KQZ-së votuan 40.55 për qind të tyre.

KALLXO.com të dielën monitoroi gjatë tërë ditës këto zgjedhje duke evidentuar parregullsi.

http://kallxo.com/kallxo-com-veren-parregullsi-ne-zgjedhjet-ne-drenas/

Pesë ankesa për shkeljet në ditën e zgjedhjeve i kanë shkuar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nga BIRN-i dhe Internews Kosova.

Këto ankesa ishin të vetmet që ky panel i mori në lidhje me ditën e zgjedhjeve.

http://kallxo.com/vetem-birn-dhe-internews-kosova-ankohen-per-zgjedhjet-ne-drenas/