Naser Osmani, deputet i LDK-së - Foto: Facebook

PDK e LDK Ndahen për Gjykatën e Tenderëve

Asnjë nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votimin e sotëm për anëtarët e Organit Shqyrtues të Prokurimit, e cila ishte pikë e vetme e rendit të ditës në vazhdimin e seancës së Kuvendit të Kosovës.

Procesverbali i nxjerrë nga procesi i votimit tregon se për dy kandidatët e propozuar për anëtarë të ‘gjykatë së tenderëve’ kanë votuar si grup vetëm deputetët e PDK-së dhe ata të Listës Serbe.

Votimi dështoi për shkak se Vjollca Shala- Kurtishaj dhe Blerim Dina nuk morën numrin e mjaftueshëm të votave.

Vetëm 42 deputetë morën pjesë në votimin e rekomandimit të cilin e mbështetën 40 prej tyre, një ishte kundër dhe një abstenoi.

Naser Osmani, deputet nga LDK, thotë se grupi i tij parlamentar ka pasur vërejtje në emrat e ofruar nga qeveria, pavarësisht se ajo drejtohet nga kryetari i partisë së tij.

“I kemi kontrolluar CV-të e tyre dhe kemi konsideruar që nuk janë mjaftueshëm profesionalë. Kemi kërkuar që ajo të përsëritet. Është kërkesë decidive e BE-së që OShP me qenë profesionale dhe e pandikuar politikisht”, tha Osmani për KALLXO.com.

Komisioni Evropian i ka vënë kusht Kosovës pavarësinë politike të Organit Shqyrtues të Prokurimit në kriteret e liberalizimit të vizave.

Këto janë votat e sotme për rekomandimet për OShP-në.
Këto janë votat e sotme për rekomandimet për OShP-në.