PDK Dënon Djegien e Veturës së Adem Grabovcit
Vetura familjare e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, është përfshirë në flakë mbrëmjen e së hënës në Prishtinë nga persona që mbesin ende të panjohur për policinë.
Në raportin e vet ditor, Policia ka thënë se sipas hetimeve të para, djegia e veturës ‘ka qenë e qëllimshme’ dhe se ajo është konfiskuar për ekzaminim të mëtutjeshëm.
Djegia e veturës familjare të Grabovcit është e treta brenda javës në një seri aktesh të djegies së veturave të zyrtarëve të partive në pushtet, PDK dhe LDK.
Javën e kaluar, brenda pak orësh, ishin djegur veturat familjare të ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi (PDK) dhe Zëvendës Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj.
PDK ka reaguar me anë të një komunikate në të cilën e dënoi incidentin ndaj veturës së Grabovcit.
“Tentimi i djegies së veturës private të deputetit dhe shefit të Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës, z. Adem Grabovci është një veprim kriminal, që në vazhdën e sulmeve të ngjashme që po ndodhin ndaj zyrtarëve të shtetit të Kosovës, kanë për synim të krijojnë klimën e frikës dhe pasigurisë në shoqërinë kosovare”, thuhet në komunikatën e PDK.
PDK-ja këto veprime i konsideron si “anarkiste dhe antidemokratike”, ndërsa thotë se ato cenojnë vlerat themelore të Kosovës.
“Duke cenuar këto vlera morale, ideatorët e këtyre veprimeve po synojnë të bartin konfliktin politik nga institucionet në jetën familjare dhe qytetare” thuhet në komunikatë.
PDK ka kërkuar nga mekanizmat institucional të sigurisë që të zbardhin rastin, të gjenden autorët e këtyre veprimeve dhe ata të sillen para drejtësisë.