Pauza në Kuvend | Foto: KALLXO.com

Pauzë për Afrim Qëndrimesh

Deputetët e Kuvendit të Kosovës edhe sot nuk po mund të merren vesh rreth përmbajtjes së draft-deklaratës me të cilën vendeve të BE-së do t’u shpjegohen dallimet e subjekteve politike rreth demarkacionit për t’u kërkuar mirëkuptim nga to në lidhje me këtë çështje që është kusht për liberalizimin e vizave.

Në seancën e sotme të Kuvendit, Komisioni për Punë të Jashtme paraqiti një draft-deklaratë që përfaqësues opozitar thanë se është e ndryshme nga ajo për të cilën është arritur pajtim në parim në takimet e organizuara nga njohësi i çështjeve politike Naim Rashiti me ndihmën e shteteve të QUINT-it.

Para se të nxirren në votim tri draft-deklarata rreth kësaj çështjeje, njëra nga të cilat e Komisionit për Punë të Jashtme e mbështetur nga PDK-ja, LDK-ja e Grupi +, tjetra e AAK-së dhe e treta e Nismës, kryeparlamentari Kadri Veseli kërkoi që shefat e grupeve parlamentare të merren vesh rreth harminizimit të përmbajtjes së deklaratë, duke dhënë për këtë qëllim 15 minuta pauzë.

Veseli për propozimin e tij kërkoi mendimin e shefave të grupeve parlamentare. Zenun Pajaziti e Ismet Beqiri, shefat e grupeve parlamentare të PDK-së e LDK-së nuk e përjashtuan mundësinë e takimin për harmonizim qëndrimesh, edhe pse ishin skeptikë se mund të arrihej kjo gjë.

Kur i erdhi radha Visar Ymerit që foli në emër të “Vetëvendosjes”, Kadri Veseli ia ndërpreu atij fjalën, me arsyetimin se Ymeri nuk po jep qëndrim rreth takimit për harmonizim për të cilën gjë i ishte dhënë fjala.

“Po doni veç me aktru. Hera e parë qe e ndali fjalën,” tha Veseli, nën reagimin e Visar Ymerit se i ka dhjetë minuta kohë për të folur.

Pas fjalës së ndërprerë të Ymerit folën përfaqësuesit e grupeve parlamentare të AAK-së e Nismës, Pal lekaj e Zafir Berisha që thanë se do ta votojnë propozimin e komisionit nëse në të përfshihen propozimet e tyre.

Nëse brenda kohës së pauzës nuk arrihet pajtimi për përmbajtjen e draft-rezolutës, Kadri Veseli paralajmëroi hapje të debatit për këtë çështje.

KALLXO.com shkroi për draft-rezolutën e dalë nga takimet për afrim qëndrimesh rreth demarkacionit, e cila i shkoi Kuvendit.

http://kallxo.com/liberalizimi-afron-poziten-dhe-opoziten/