Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti | Foto: Atdhe Mulla

Pasuria e Sokol Halitit, i rizgjedhuri në krye të LDK-së në Viti

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, është rizgjedhur edhe për një mandat në krye të LDK-së në këtë komunë.

Këtë e ka bërë të ditur Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media, në të cilën thuhet së gjatë procesit ka pasur interesim të madh të qytetarëve dhe anëtarësisë.

KALLXO.com sjell pasurinë e Halitit të deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).

Siç ka deklaruar në AKK, Haliti ka pasuri në vlerë 269 mijë e 177 euro.

Pasuria e tij e paluajtshme prek shumën e 195 mijë eurosh dhe e gjithë kjo me vetëm një tokë dhe një shtëpi, që i ka deklaruar si trashëgimi nga prindi.

Haliti po ashtu ka një veturë “Passat” të vitit 2015,  të cilën e ka vlerësuar 15 mijë euro dhe ka thënë që e ka blerë me kredi.

I pari i Komunës së Vitisë ka edhe para të gatshme. Ai në AKK ka deklaruar se posedon 32 mijë euro në një bankë të Kosovës.

Sokol Haliti po ashtu ka deklaruar se ka të hyra vjetore që prekin shumën e 27 mijë eurove.

Nga paga e tij në vit merr 13,788 euro, bashkëshortja e tij e cila është mësimdhënëse merr në vit 5 mijë e 949 euro dhe fëmija i tij i punësuar në një biznes, 7 mijë e 440 euro.

KALLXO.com ka raportuar edhe për pasurinë e kryetarëve të tjerë të zgjedhur nga procesi zgjedhor brenda partisë së LDK-së.

https://kallxo.com/pasuria-e-lutfi-hazirit-i-rizgjedhur-ne-krye-te-ldk-se-ne-gjilan/

https://kallxo.com/pasuria-e-haki-rugoves-kryetarit-te-akuzuar-i-cili-u-rizgjedh-ne-krye-te-ldk-se-ne-istog/