Bedri Istrefi

Pasuria e kryeshefit të ri ekzekutiv të Telekomit të Kosovës

Bedri Istrefi është zgjedhur sot kryeshef ekzekutiv i Telekomit të Kosovës.

Istrefi në vitin 2018 ka qenë në pozitën e drejtorit të Telekomit të Kosovës, ndërsa para se të emërohej në pozitën e kryeshefit ekzekutiv, ishte ushtrues detyre në këtë pozitë.

Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, të cilin Bedri Istrefi e ka bërë gjatë kohës sa ishte në pozitën drejtorit të Telekomit të Kosovës, ka deklaruar se posedon 300 mijë euro pasuri të paluajtshme.

Në pasurinë e paluajtshme, Istrefi ka deklaruar një shtëpi me truall në vlerë 200 mijë euro dhe një shtëpi me oborr në vlerë 100 mijë euro.

Ndërsa në pasurinë e tij të luajtshme, kryeshefi i Telekomit të Kosovës ka deklaruar dy vetura dhe stoli ari.

Sipas deklarimit, Istrefi posedon një Audi A4 në vlerë 18 mijë euro, e cila është në pronësi të tij, një veturë Golf 6 në vlerë 11 mijë euro, e cila është në pronësi të përbashkët dhe stoli ari në vlerë 7000 euro.

Sipas deklarimit në Agjencinë Kundër Korrupsion, Istrefi nuk posedon aksione në asnjë shoqëri komerciale.

Istrefi ka deklaruar se posedon edhe 1 mijë e 500 euro para të gatshme në institucione financiare, ndërsa ka detyrime ndaj dy institucioneve financiare, në vlerë 76 mijë e 952 euro.

Sa ishte në pozitën e drejtorit të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi tek të hyrat vjetore kishte deklaruar pagën nga Telekomit prej 2 mijë e 225 euro, si dhe të hyrat nga restoranti në Vushtrri të cilat variojnë nga 1000 deri në 1500 euro.

KALLXO.com raportoi sot për emërimin e Bedri Istrefit në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës.

https://kallxo.com/zyrtare-zgjidhet-kryeshefi-i-telekomit/

.