Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi - Foto: KALLXO.com

Pasuria ‘Artistike’ e Kryeprokurorit të Shtetit

Kreu i organit të ndjekjes, Aleksandër Lumezi, për dallim nga viti i kaluar ishte për dy ditë më i hershëm në deklarimin e pasurisë së tij.

Kryeprokurori i Shtetit këtë obligim ligjor e përmbushi më 25 mars.

Ajo që bie në sy në formularin e deklarimit, që është publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit, është pasuria artistike e kryeprokurorit të vendit.

Sikur edhe në vitin 2015, Lumezi ka deklaruar si pasuri 5 piktura, vlera e të cilave, sipas tij, është 15 mijë euro.

Ato thotë që i ka që nga viti 1995.

Përpos pikturave, si një pasuri e veçantë dhe e rrallë, Aleksandër Lumezi ka deklaruar edhe një sërë pasurish të tjera, të luajtshme dhe të paluajtshme.

Njëjtë sikurse se në vitin 2015, Lumezi ka deklaruar dy banesa, njërën me sipërfaqe prej 79 metra katrorë, në vlerë prej 120 mijë euro, dhe tjetrën në sipërfaqe prej 45 metra katrorë në vlerë prej 80 mijë euro.

Po ashtu, sikurse vitin e kaluar edhe sivjet Kryeprokurori i Shtetit ka deklaruar një parcelë prej 4.82 ari. Por, dallimi është te vlera, e cila është dyfishuar në raport me deklarimin e mëparshëm.

Më 2015, Lumezi kishte thënë se kjo parcelë ka vlerë 53 mijë euro, e tash 108 mijë euro. Si arsye për këtë ai përmend shtëpinë në ndërtim me sipërfaqe prej 280 metra katrorë.

Për dallim nga parcela, vlera e së cilës është ngritur, vlera e veturës së Kryeprokurorit të Shtetit nga 8,000 mijë euro sa kishte një vit më parë, tani ka rënë në 6,000.

Përpos pasurive në posedim, Kryeprokurori dhe bashkëshortja e tij kanë edhe kursimet që ua kanë besuar bankave në Kosovë.

Lumezi duket se është një kursimtar i mirë në këtë drejtim pasi që nga 13,243  euro para të gatshme sa kishte në bankë në vitin 2015, në harkun e një viti ka arritur pothuajse ta trefishojë këtë shumë duke e rritur në 33,314 euro.

E sigurisht se për të pasur pasuri të tilla duhen edhe të ardhura.

Të ardhurat e kryeprokurorit kanë mbetur pothuajse të njëjta, me një ngritje të lehtë.

Nga 13,600 euro pagë vjetore në vitin 2015, Kryeprokurorit i janë ngritur të ardhurat në 15,883 euro.

Ngritje ka pasur edhe te të hyrat nga mëditjet, ku nga 289 euro të deklaruara në vitin 2015, kjo shumë është ngritur në 1,407 euro në vitin 2016.

Puna intelektuale e Kryeprokurorit është shpërblyer pothuajse njëjtë si në vitin 2015 ashtu edhe në vitin 2016 – 1,760 euro në vitin 2015 dhe 1,620 euro më 2016.

Ndërsa të njëjta kanë mbetur të hyrat e Kryeprokurorit Lumezi  nga qiraja për një biznes privat, 8,400 euro në vit.

Një reduktim i të hyrave për Kryeprokurorin për dallim nga viti 2015 ka ndodhur nga të hyrat e tij në AAB, ku nga 3,456 euro në vitin 2015 kjo shumë është reduktuar në 1,846 euro në vitin 2016. E krejt kjo si pasojë e asaj se Aleksandër Lumezi nga data 1 qershor 2015 kur ka marrë detyrën si kryeprokuror është tërhequr nga procesi mësimor.

E përkundër krejt këtyre të hyrave, edhe Kryeprokurorit të vendit i është dashur të hyjë në kredi.

Lumezi ka deklaruar se gjatë vitit 2015 i është dashur të hyjë në kredi për 5 vite për shumën prej 60 mijë euro, kredi e cila është marrë për ndërtim të shtëpisë.

Përpos kësaj kredie Kryeprokurori ka deklaruar edhe një kredi tjetër, të cilën e kishte marrë me qëllim të blerjes së parcelës në vitin 2013 në shumë prej 29 mijë euro dhe kohën e kthimit të së cilës e ka deklaruar “pa afat”.