Ilustrim

Pas tentim vjedhjes, grabitësit gjuajnë me armë pronarët e shtëpisë në Vushtrri

 

Një vjedhje në tentativë ka ndodhur në fshatin Dobërllukë të Vushtrrisë, me që rast një person i dyshuar për grabitje ka mbetur i lënduar pas ballafaqimit me pronarët e shtëpisë.

“Dy ankuesit vëllezër kanë njoftuar  se në oborrin e shtëpisë së tyre, kanë hasur  në tre të dyshuar meshkuj duke ua vjedhur derivatet nga kamionët e tyre. Të dyshuarit derisa  po iknin kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimave”, bën të ditur policia.

Sipas PK-së, njëri nga të dyshuarit është ndalur  në vendin e ngjarjes nga ankuesit, ku më pas ka pranuar tretman mjekësor pasi që ishte lënduar në ballafaqim me ankuesit.

Rastit ju kanë përgjigjur njësitet relevante policore të cilat në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë dyshohet e armës–revole me gaz.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari i parë dërgohet në qendrën e mbajtjes, kurse dy të dyshuarit e tjerë gjinden  në arrati.