Pas raportimit të KALLXO.com për zgjedhjen e njeriut të PDK-së në KEK, reagojnë disa OJQ

Pas raportimit të Kallxo.com se Nysret Kelmendi, ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Obiliqit, është zgjedhur zëvendësdrejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), kanë reaguar disa disa organizata joqeveritare.

Balkan Green Foundation (BGF), Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) kundërshtojnë “emërimin politik dhe të paligjshëm të Nysret Kelmendi si zëvendësdrejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK)”.

“I bëjmë thirrje ndërmarrjes publike të korrigjoj këtë shkelje dhe të siguroj që çdo emërim në të ardhmen të jetë në përputhje me kërkesat ligjore për pavarësi, transparencë dhe pa ndikime politike”, thuhet në reagim.

Disa ditë më parë, Kallxo.com kishte raportuar se zgjedhja e Nysret Kelmendit në postin e zv.drejtorit të KEK-ut është në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, përkatësisht neni 21 dhe nenin 17.

Pozita e zv.drejtorit të një ndërmarrje publike, me Ligjin për ndërmarrjet publike konsiderohet zyrtar i lartë i ndërmarrjes. E Ligji kërkon që zyrtarët e lartë të ndërmarrjes duhet të jenë të pavarur, njëjtë sikur anëtarët e bordit të KEK-ut.

Zgjedhja e Kelmendit në pozitën e zv.drejtorit të KEK-ut është në kundërshtim me interpretimin e ligjit të Ndërmarrjeve Publike që e ka dhënë Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit ekonomik për rastin e kandidimit të Blerand Stavilecit për drejtor menaxhues të KEK-ut. Duke u thirrurr në këtë interpretim, Bordi i KEK-ut e kishte eliminuar nga gara Blerand Stavilecin, ish-ministrin e Zhvillimit Ekonomik dhe këshilltarin e kryetarit të Kuvendit.

Reagimi i disa OJQ-ve për zgjedhjen e Nysret Kelmendit si zëvendësdrejtor në KEK:

Balkan Green Foundation (BGF), Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) kundërshtojnë emërimin politik dhe të paligjshëm të z. Nysret Kelmendi si zëvendësdrejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). I bëjmë thirrje ndërmarrjes publike të korrigjoj këtë shkelje dhe të siguroj që çdo emërim në të ardhmen të jetë në përputhje me kërkesat ligjore për pavarësi, transparencë dhe pa ndikime politike. 

1.Nysret Kelmendi është zgjedhur zëvendësdrejtor i KEK në kundërshtim të plotë me Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Në zgjedhjet e tetorit të vitit 2017, z. Kelmendi ka qenë kandidat për Kryetar të Komunës së Obiliqit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Ligji Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike përcakton qartësisht se:

17.1 Një person ka të drejtë të shërbejë si drejtor vetëm nëse i plotëson të gjitha kushtet më poshtë si dhe kushtet për pavarësi dhe përshtatshmëri profesionale të përcaktuara në paragrafët 2 dhe 3 të nenit 17 të këtij ligji. 

k) është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike;

Në bazë të nenit 8 të Ligjit Nr. 04/L-111 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrje Publike, të gjitha pozitat, përfshirë zyrtarët e lartë, duhet t’i nënshtrohen kushteve të nenit 17.1 të Ligjit bazë që flet për pavarësinë e të zgjedhurve në NP.

21.4. Për përzgjedhjen e personave për emërim si zyrtarë të NP-së, Bordi i Drejtorëve duhet të kryejë një procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese, e cila ka për qëllim që të gjitha emërimet të bëhet ekskluzivisht në bazë të meritës. Bordi i Drejtorëve duhet të sigurojë që të gjithë personat e emëruar si zyrtarë të jenë persona me integritet të njohur të cilët (i) i plotësojë kushtet e kualifikimit sipas nenit 17.1, (ii) i plotësojnë kriteret e pavarësisë sipas nenit 17.2, pikat (d), (f), (j), (k) dhe (l) (iii)…

Në kuptim të Ligjit Nr. 04/L-111 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike,  “I emëruar politik” – nënkupton personin i cili është emëruar, ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur. Për këtë, edhe Agjencia Kundër-Korrupcionit, në Opinionin e saj të lëshuar me datë 23 shkurt 2016 me numër reference AKK-DLK-3113/15,  konstatonte shkeljen e kësaj dispozite me rastin e përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike. Duke qenë se ka qenë kandidat për post të zgjedhur, z. Kelmendi është pikërisht në shkelje të drejtëpërdrejtë të Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike.

Bordi i KEK ka qenë në dijeni të plotë për shkeljet ligjore që paraqet zgjedhja e një personi aktiv në politikë. Në sqarimet që ka dhënë Zyra e Kryeministrit me rastin e zgjedhjes së Drejtorit Menaxhues në KEK ishte e qartë që z. Blerand Stavileci ligjërisht nuk mund të merrte këtë pozitë. Me rastin e z. Kelmendi, Bordi nuk ka respektuar një standard ligjor për të cilin nuk ka tashmë asnjë mëdyshje.

Përveç faktit që zgjedhja e z. Kelmendi është e paligjshme,  Ligji Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike nuk parasheh pozitën e Zëvendësdrejtorit fare. Të gjitha pozitat e tjera janë të listuara në Ligj por jo edhe ajo e zv. Drejtorit apo Zv. Kryeshefit. Kjo pozitë është në kundërshtim edhe me frymën e Ligjit sepse Drejtori Menaxhues është njëkohësisht edhe anëtar bordi dhe nuk mund të ketë pozitë zëvendësi për njërin nga anëtarët e bordit. Kjo praktikë e parë edhe në ndërmarrje të tjera, e themelimit të pozitave që nuk janë paraparë me ligj, duhet të ndalet.

Edhe në të kaluarën, organizatat tona kanë alarmuar për vazhdimin e politizimit të ndërmarrjeve publike dhe bordeve të agjencive të pavarura. Kemi hartuar dhjetra reagime që nga 2015 dhe kemi inicuar hetimin paraprak në Agjencinë Kundër Korrupcionit. Përkundër Opinionit të Agjencisë Kundër Korrupcionit të vitit 2016, Qeveria aktuale jo vetëm që nuk po e respekton, por po vazhdon me shkelje të tjera të ligjit.

I bëjmë thirrje KEK-ut dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik që të tërheqin menjëherë këtë vendim të paligjshëm. Ligji Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, Opinioni Nr. AKK-DLK-3113/15 i Agjencisë Kundër-Korrupcionit dhe Interpretimi i mëhershëm i Ligjit i bërë nga ZKM dhe MZHE janë të qarta dhe duhen zbatuar pa përjashtim edhe në këtë rast. 

Dyshime për parregullsi: Njeriu i PDK-së së Kadri Veselit emërohet zv.drejtor në KEK

.