Pas raportimit të KALLXO.com, Lipjani dërgon mësimdhënës në shkollën multietnike të Graçanicës

Pas raportimit të KALLXO.com se nxënësit e komuniteteve shqiptarë dhe ashkali  kishin mbetur pa mësimdhënës në shkollën fillore të fshatit Radevë në Komunën e Graçanicës, Komuna e Lipjanit e ka dërguar një mësuese në atë lokacion.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, drejtori i Arsimit në Komunën e Lipjanit, Rasim Hasani.

Megjithatë drejtori i DKA-së në këtë komunë thotë se kjo zgjidhje është e përkohshme.

“Po, mësuesen e kemi dërguar përkohësisht edhe pse nuk e di se çfarë zgjidhje është ajo. Nuk kemi mundësi për t’i mbuluar financiarisht dërgimin e një mësuese në komunë tjetër. Me këtë çështje ose duhet të merren institucionet, përndryshe do të jetë problem”, tha ai.

Hasani shtoi se nuk dihet se sa gjatë do të vijojë mësimi në paralelen me filloristë në atë shkollë.

“Nuk e dimë se për sa kohë do të qëndrojë mësuesja atje. Për mirëkuptim, për shkak të familjarëve e kemi dërguar mësuesen. Kurrfarë hapi apo zgjidhje nuk ka bërë as Graçanica dhe as Ministria e Arsimit, ndërsa ne këtë problem nuk mund ta zgjidhim vetë”, tha drejtori i DKA-së.

Prindërit e dhjetë nxënësve nga Radeva e Graçanicës kishin thënë për KALLXO.com se çdo vit kanë probleme për sigurimin e vijimit të mësimit në gjuhën shqipe, për shkak se Komuna e Graçanicës, ajo e Lipjanit dhe Ministria e Arsimit, nuk po e marrin përgjegjësinë për funksionimin e mirëfilltë të procesit mësimor në këtë shkollë.

https://kallxo.com/video-shkolla-multietnike-ne-gracanice-pa-mesimdhenes-ne-gjuhen-shqipe/