Pas raportimit të KALLXO.com, fermeri pa asnjë lopë nga Malisheva i ktheu paratë në Ministri të Bujqësisë

Një hulumtim i KALLXO.com, rezultoi se fermeri Ilir Limaj nga Banja e Malishevës, njëkohësisht edhe bashkëfshatar i zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, kishte marrë subvencione nga ana e Ministrisë së Bujqësisë për cilësinë e qumështit pa pasur lopë e fermë.

Vetë Ilir Limaj edhe pse nuk kishte pranuar të flas për “Drejtësia në Kosovë”, ai kishte pranuar se nuk ka lopë e fermë por edhe se nuk kishte aplikuar për cilësi të qumështit por për të mbjella gruri.

Hulumtimi zbardhi se Ministria e Bujqësisë i kishte lëshuar më shumë se 500 euro më shumë se sa ishte e paraparë që të marr Ilir Limaj, ndërsa në kërkesat e KALLXO.com, vet Ministria e Bujqësisë kishte pranuar gabimin.

“Pas kërkesës specifike nga ana juaj dhe shikimit te aplikacioneve veç e veç, mund të ju konfirmojmë se fermeri Ilir Limaj është aplikues dhe përfitues i Pagesave Direkte për sipërfaqet e mbjella me grurë. Pra subvencionet i ka marrë për sipërfaqet e mbjella me grurë dhe jo për qumësht sipas cilësisë. Arsyeja pse ky fermer ka përfunduar ne listën e fermerëve përfitues për Pagesa Direkte Qumësht sipas cilësisë për TM3 2018 është sepse AZHB bënë pagesa sipas listave për dy kategori-Blegtori dhe siperfaqe. Ka edhe fermerë tjerë që janë në këtë listë dhe nuk janë përfitues për qumësht por për pagesa tjera për sipërfaqe apo blegtori. Te fermeri në fjalë janë bërë dy pagesa. Fermeri në fjalë ka aplikuar për 13.04 ha, ndërsa Inspektorati i AZHB-se ka verifikuar te fermeri se ka të mbjella 12.09 ha. Problemi është se te ky fermer është dashtë të zbritet në pagesën e dytë sipërfaqja prej 3.59 ha ose shuma prej 538.50 €, sepse shuma totale që i ka takuar fermerit është 1,813.50 € e jo 2,352.00 €. Pra ky ka qenë një gabim teknik i sistemit që përdorim tek kalkulimet e pagesave”, kishte thënë Ministria e Bujqësisë për KALLXO.com

Ata gjithashtu kanë falënderuar ekipin për identifikimin e problemit.

Gjithashtu vetë ministria i kishte thënë KALLXO.com se menjëherë do të bënte kërkesën për kthimin e parave shtesë që i ka marrë Ilir Limaj pa ndonjë arsye.

Ishte vetë fermeri Limaj që kishte treguar KALLXO.com se mjetet e tepruara që i kishte marrë i ka kthyer.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Bujqësisë.

“Po fermeri në fjalë i ka kthyer mjetet dhe ne posedojmë dëshmi kërkesën për kthim të mjeteve dhe transferin bankar për kthimin e mjeteve!”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë drejtuar KALLXO.com.

Ilir Limaj, bujku që merr subvencione qumështi pa asnjë lopë