Foto: Milazim Gjocaj/Facebook

Pas raportimit të KALLXO.com, AKK e detyron Milazim Gjocajn të heqë dorë nga pozita e dekanit

Pas raportimit të rastit nga zyra ligjore e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese – BIRN, Agjencia Kundër Korrupsion e ka detyruar Drejtorin e Departamentit Shëndetësor të Burgjeve në Ministrinë e Shëndetësisë, Milazim Gjocaj që ta pezullojë pozitën e dekanit në kolegjin “Rezonanca”.

Më 29 korrik 2020, BIRN përmes një shkrese kishte kërkuar një opinion nga Agjencia Kundër Korrupsion, në rast se zyrtarit të lartë Milazim Gjocaj i lejohej që mbante më shumë se një pozitë udhëheqëse.

Milazim Gjocaj në atë kohë ishte duke mbajtur pozitën e U.D. i Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë si dhe në të njëjtën kohë ishte dhe dekan në kolegjin privat “Rezonanca”.

Për të vërtetuar këto fakte, AKK i është drejtuar edhe institucioneve përkatëse.

Pas konfirmimit të informacionit të dërguar nga BIRN, AKK kishte hapur rast për hetim, me ç ‘rast e kishte kontaktuar Milazim Gjocajn të cilin e kishte njoftuar për fillimin e procedurës së shqyrtimit të gjendjes së konfliktit të interesit.

Pas pranimit të këtij informacioni, Gjocaj e ka telefonuar AKK-në nga të cilët ka kërkuar sqarime lidhur me konfliktin e mundshëm të interesit, thuhet në vendimin e AKK-së.

Me këtë rast, Agjencia e kishte njoftuar Gjocajn se sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, një zyrtari të lartë nuk i lejohet që t’i mbajë dy pozita udhëheqëse, atë të Drejtorit të Departamentit Shëndetësor të Burgjeve në Ministrinë e Shëndetësisë si dhe të dekanit në kolegjin “Rezonanca”.

Më pas, pas një takimi të mbajtur me përfaqësues të Agjencisë, Gjocaj i kishte premtuar AKK-së që brenda afatit të paraparë ligjor do të ndërmerrte të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të evitimit të konfliktit të mundshëm të interesit.

Në vendimin e AKK-së thuhet, se pastaj AKK e ka pranuar një shkresë nga Gjocaj, me anë të së cilës dëshmohet se Gjocaj për të evituar konfliktin e mundshëm të interesit ka marrë vendim për pezullim të pozitës së dekanit në kolegjin “Rezonanca”.

“Me veprimet e ndërmarra nga Z. Gjocaj, është shmangur gjendja e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik”, thuhet në vendimin e AKK-së.

Në bazë të këtyre veprimeve, AKK ka marrë vendim me anë të të cilit e ka mbyllur rastin për Drejtorin e Departamentit Shëndetësor të Burgjeve në Ministrinë e Shëndetësisë, Milaim Gjocaj për shkak të shmangies së gjendjes së konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Ndër të tjera, AKK ka njoftuar se Agjencia mund të rihap rastin në çdo kohë nëse paraqiten rrethana të reja.

KALLXO.com ka raportuar edhe për raste të tjera kur AKK i ka detyruar zyrtarët e lartë që të heqin dorë nga mbajtja e disa pozitave të cilat mund të qonin deri tek konflikti i interesit.