Arkiv - Agron Matjani, ish-prokuror i Prokurorisë Themelore në Gjakovë. Foto: Kallxo.com

Pas raportimit në KALLXO.com suspendohet prokurori Agron Matjani

Prokuroi i krimeve të rënda në Prokurorinë e Gjakovës, Agron Matjani është suspenduar nga detyra, pasi i njëjti dyshohet se ka kërcënuar kunatën (Bashkëshorten e vëllait).

Lajmin për suspendimin e prokurorit Matjani e ka konfirmuar për KALLXO.com prokurori Arben Ismajli nga Komisioni Disiplinor – Këshilli Prokurorial i Kosovës.

“E kemi suspenduar të premten. Ka qenë kërkesë nga Departamentit Disiplinorë në lidhje me një shkelje për të cilën e ka bërë. Deri më tani e gjitha është ende në fazën e hetimeve dhe arsyet suspendimit të tij janë të gjitha të shkruara në vendim”, ka thënë shkurt për KALLXO.com prokurori Ismajli.

Agron Matjani, prokuror në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, po hetohet për një kanosje që dyshohet t’i ketë bërë gruas së vëllait të tij (Ali Matjanit), të dëmtuarës S.M.

Rasti ishte raportuar se ka ndodhur në javën e parë të nëntorit 2018 në Prizren, ditën kur ishte mbajtur një seancë gjyqësore në të cilën prokurori Matjani e kishte përfaqësuar vëllain e tij, i cili ishte palë në këtë çështje.

KALLXO.com pati raportuar lidhur me këtë rast me 16 nëntor 2018.

Prokurori Agron Matjani, siç pati raportuar KALLXO.com në muajin nëntor i kishte mohuar akuzat për kanosje ndaj kunatës së tij.

“Nuk ka asgjë të vërtetë dhe të vërtetuar nga ai rast. Personi që e ka paraqitur rastin vetëm ka shpifur, dhe ka dashur që të dëmtojë integritetin dhe personalitetin tim”, pati deklaruar prokurori Matjani.

 

https://kallxo.com/prokurori-i-gjakoves-hetohet-per-kercenim-te-gruas-se-vellait/

.