Pas raportimit në KALLXO.com, konfiskohen atlete të falsifikuara

Qindra palë atlete sportive të falsifikuara janë konfiskuar sot në dy dyqane të Prishtinës.

Zyrtarët e Doganës së bashku me inspektorët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë i kanë konfiskuar ato pas raportimit të KALLXO.com.

Në platformën e KALLXO.com, një qytetar ka raportuar se në këto dy dyqane po shiteshin atlete të falsifikuara të brendeve të ndryshme.

Hulumtuesit e KALLXO.com në kuadër të fushatës për mbrojtjen e konsumatorit i janë drejtuar Doganës së Kosovës me kërkesë për inspektimin e këtyre lokacioneve në kryeqytet.

Pas pranimit të kërkesës së KALLXO.COM, shefja e inspektorëve të kontrollit të brendshëm Doganor mblodhi inspektorët dhe ndau detyrat.

Pasi pranuan detyrat, katër inspektoret u nisën në drejtim të MTI-së, ku priteshin nga inspektorët e Ministrisë.

Së bashku, ata mësynë dy lokacione në të cilat dyshohej që shiteshin atlete të falsifikuara të brendeve Addidas, Nike e Reebok.

Informacioni i cili ishte raportuar nga qytetari në KALLXO.com doli të ishte i vërtetë pasi me vendim të inspektorëve të MTI-së, të gjitha atletet e konstatuara si të falsifikuara u konfiskuan.

Pas konfiskimit të mallit, inspektorët e doganës u kthyen te zyra e udhëheqëses së tyre të cilës i raportuan për gjetjet nga aksioni i ndërmarrë në bashkëpunim me inspektorët e MTI-së.