Pas raportimit në KALLXO.com, inspektorët e ATK-së gjejnë shkelje në një subjekt afarist

Pas publikimit të materialeve senzibilizuese në KALLXO.com, ku qytetarët janë inkurajuar të raportojnë sjellje të dyshimta të taksapaguesve, qytetarët kanë raportuar për mos lëshim të kuponëve fiskalë.

Në bazë të raportimit të tillë, zyra ligjore e BIRN ka paraqitur rastin në Administratën Tatimore të Kosovës, kërkesë pas së cilës menjëherë është angazhuar ekipi i inspektoreve të ATK-së, dhe ka kryer kontrollin në subjektin afarist, kontrolle në të cilin janë gjetur disa shkelje ligjore.

Kontrolli ka rezultuar se subjekti në fjalë ka angazhuar punëtorë pa kontratë, nuk ka qenë i pajisur fare me arkë fiskale si dhe nuk i ka deklaruar në mënyra të rregullt të dhënat financiare në ATK.

Të gjitha gjetjet janë dërguar për procedura të mëtutjeshme në divizionin për shqiptimin e gjobave.

Muaj më parë, BIRN (Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese) Ambasada e Britanisë dhe Democracy Plus, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me qëllim rritjen e mbikëqyrjes së Shoqërisë Civile në proceset e Administratës Tatimore.

Një ndër qëllimet tjera të këtij memorandumi të bashkëpunimit ne mes  të konsorciumit: BIRN (Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese) Ambasada e Britanisë dhe Democracy Plus është edhe angazhimi në luftën e kundër korrupsionit, evazionit fiskal dhe ekonomisë joformale.