Pas miratimit të marrëveshjes nga Zvicra, a do t’i marrin kosovarët pensionet që nuk u janë dhënë?

Sot deputetët e Këshillit Federal Zviceran kanë votuar pro Marrëveshjes për Sigurimet Sociale Zvicër – Kosovë.

Sipas Osman Osmanit, sekretar nacional për migracion, përgjegjës për anëtarësinë e Evropës juglindore, andaj edhe përgjegjës për dosjen e Marrëveshjes në fjalë, kjo marrëveshje ishte ndërprerë njëanshëm nga shteti zviceran në prill të vitit 2010.

“Kjo marrëveshje ishte ndërprerë me 1 prill 2010 njëanshëm dhe me motive politike nga ana e Zvicrës si dhe nga mos reagimi, injorimi, neglizhenca e papërgjegjësia e zyrtarëve të Kosovës  – është arritur të ri negociohet falë presionit tonë sindikalist. Kjo Marrëveshje e re është nënshkruar para më shumë se një viti, por për të hyrë ajo në fuqi ka qenë e nevojshme të ratifikohet nga legjislativi i të dyja shteteve. Parlamenti i Kosovës e ka ratifikuar në vjeshtë të vitit të kaluar, ndërsa në Zvicër – ku kemi dy dhoma të parlamentit –  ai këshillit të kantoneve e ka aprovuar në pranverë të këtij viti”, ka thënë Osmani për KALLXO.com.

Sipas tij, koha e padrejtësisë gati dhjetëvjeçare për pensionet do të përfundojë javën e ardhshme kur kjo çështje do të shqyrtohet nga Këshilli kantonal në Zvicër.

Osmani ka treguar se nga periudha kur është ndërprerë marrëveshja e fushës së sigurimeve sociale , pensionet janë paguar vetëm për shtetasit e Kosovës që kanë jetuar në Zvicër.

“Marrëveshja e re koordinon sigurimin dhe përfitimet e kolonës së parë të sigurimeve Shoqërore: sigurimin e pleqërisë dhe trashëgimtarëve si dhe të sigurimit të invaliditetit. Kështu Zvicra dhe Kosova rregullojnë prapë raportet e trashëguara nga ish Jugosllavia nga rrafsh i Sigurisë Shoqërore. Pas tejkalimit të këtyre diferencave pritet vetëm të hyjë në fuqi marrëveshja dhe nga data e hyrjes në fuqi fillon edhe pagimi i pensioneve nga kolona e parë”, ka shtuar Osmani.

Më tej, Osmani ka treguar se dhënia e pensioneve do të jetë vetëm nga koha e hyrjes në fuqi të marrëveshjes dhe nuk do të ketë pagesa retroaktive dhe këto pensione sipas tij do të merren nga pensionistët dhe trashëgimtarët.

“Marrëveshja nuk parasheh pensione për kohën pa marrëveshje. Kjo do të jetë sfida e radhës për qeverinë e Kosovës dhe diasporën e saj të ardhmen. Nga data e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes, përfundon diskriminimi i qytetarëve të Kosovës në lidhje me përfitimet e ardhshme. Nuk ofrohet kompensim retroaktiv i periudhës pa marrëveshje. Të prekurit dhe familjarët e tyre bashkë me veprimtarët aktiv të diasporës në këtë  çështje të mbështetur fuqishëm nga sindikata jonë Unia (e Zvicrës) kërkon nga Qeveria Federale një zgjidhje, e cila mundëson përfitimin e pensioneve edhe nga koha kur nuk është zbatuar marrëveshja”, ka shtuar më tej ai.