Pas gjashtë muajve, Prizreni fillon lëshimin e lejeve ndërtimore

Qytetarët e Komunës së Prizrenit nga sot mund të fillojnë të aplikojnë për leje ndërtimore pas gjashtë muajsh që dhënia e këtyre lejeve është pezulluar.

Komuna e Prizrenit njoftoi se është hequr masa e përkohshme e Gjykatës Themelore të Prishtinës për pezullimin e Planit Zhvillimor Komunal dhe me këtë e kishte pamundësuar dhënien e lejeve të ndërtimit në gjithë territorin e Komunës së Prizrenit.

Vendimi i Gjykatës, ishte në fuqi që nga muaji tetor i vitit të kaluar, dhe nuk është hequr deri më sot.

Sipas njoftimit të Kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka , kjo marrëveshje u arrit pas përpjekjeve intensive të Komunës dhe bashkëpunimit me kompaninë e hekurudhave NP IHK “INFRAKOS“ SH.A., e cila është pajtuar që të arrihet Pajtimi Gjyqësor në Gjykatë, me ç‘rast është tërhequr padia dhe Komuna e Prizrenit do të bëjë realizimin e obligimeve të dala nga takimet e mbajtura dhe të përcaktuara me këtë marrëveshje.

“Nga sot qytetarët e Komunës së Prizrenit e kanë të drejtën për t’u pajisur me leje ndërtimi.I falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin e treguar në lidhje me këtë çështje”, shkroi Haskuka në Facebook.