Pas Emisionit ‘Lufta për Ujë’, Fillojnë Hakmarrjet

Problemet në Ujësjellësin Rajonal Prishtina nuk kanë të ndalur. Tashmë ajo që ishte paralajmëruar që punëtorët nuk guxojnë të flasin për media sepse mund të hakmerren nga menaxhmenti ka ndodhur në realitet.

Kryeshefi Ekzekutiv i KUR “Prishtina”, Gjelosh Vataj, ka marrë Aktvendim kundër dy punëtorëve Ylber Zabërgja i cili është Menaxher në Departamentin e Prodhimit si dhe Naim Mujaj zyrtar për Plan të Biznesit, Proces Tarifor dhe monitorim të PB-së.

Në aktvendim të datës 24 shkurt 2016, kërkohet të fillohet procedura për shkeljen e obligimeve të punës pasi dyshohet se punëtorët kanë bërë shkeljen e detyrimeve ndaj punës duke dhënë intervistë në emisionin “Jeta në Kosovë”, në mënyrë të paautorizuar dhe se “kanë dezinformuar dhe kanë përhapur të pavërteta” për punën dhe veprimtarinë në Kompani.

Emisioni Jeta në Kosovë ka transmetuar hulumtimin rreth dyshimeve për keqpërdorime në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” më 11 shkurt 2016. Në këtë emision janë publikuar letrat e dy ambasadoreve, si donatorët kryesorë të sektorit të ujit në Kosovë, të cilat kishin kërkuar shkarkimin e bordit dhe menaxhmetit të Ujësjellësit.

Bordet Politike Konfliktojnë Qeverinë me Donatorët

KALLXO.com përveç Aktvendimit ka siguruar edhe një Kërkesë të kryeshefit Vataj.

Në po të njëjtën datë, më 24 shkurt 2016, Vataj ka bërë Kërkesë ndaj Ylber Zabërgjës, për fillimin e procedurës për konstatimin e përgjegjësisë së punëtorit për shkak të, siç thuhet, dezinformimit dhe përhapjes së të pavërtetave.

Ylber Zabërgja, së bashku me Naim Mujaj ishin ftuar në emisionin “Jeta në Kosovë” më 11 shkurt 2016.

Të kontaktuar nga KALLXO.com, lidhur me këtë aktvendim Naim Mujaj nuk ka dashur të komentojë pa i përfunduar procedurat, kurse Ylber Zabërgja këtë aktvendim e ka parë si tendencioz.

Zabërgja, në emision kishte folur për shpronësimet dhe mospagesat e ujësjellësit. Ai tha se fjalët e tij janë plotësisht të bazuara.

Sipas tij, ky aktvendim është tendencioz pasi që edhe Kërkesa është bërë prej vetë Gjelosh Vatajt, edhe Aktvendimi është marrë prej tij.

“Ai ka tentuar te personat e tjerë të iniciojnë një procedurë kundër meje por askush nuk është i gatshëm sepse fjalët e mia nuk janë thashetheme e shpifje por janë të vërteta. Ai (Vataj) prej se është kthyer prej këtij Bordi të ri e ka pas një lloj pezmatimi ndaj meje pse unë kam punu me tjetrin ushtrues detyre”, tha Zabërgja duke iu referuar Selatin Retkocerit i cili për një kohë kishte drejtuar kompaninë e ujësjellësit.

Sa i përket kësaj Zabërgja tha se për të nuk ka rëndësi kush është kryeshef ekzekutiv pasi që cilido kryeshef ekzekutiv apo menaxher i lartë që i delegon detyrat ky i kryen me përgjegjësi.

Se a ka marrë leje për të folur për media Zabërgja tha se nuk ka pasur nevojë të marrë leje pasi deklaratat të cilat i ka dhënë janë të kohës kur Gjelosh Vataj nuk ka qenë në krye të detyrës. Sipas tij nga ushtruesi i detyrës Selatin Ratkoceri në atë kohë ka pasur të leje të japë intervista dhe deklarata për cilindo medium.

“Unë kam folë për kohën sa Gjeloshi nuk ka qenë aty. Për kohën sa ai s’ka qenë aty unë kam fol për të gjeturat kam pa shumë te gjetura dhe dëmtime që iu kanë shkaktu ujësjellësit, sidomos kam potencu apo jam ndalë te procesi i shpronësimeve edhe gjatë procesit të shpronësimeve nuk janë përfillë afatet ligjore sipas ligjit për shpronësime, nuk janë përmbushur as obligime tjera ligjore që i parasheh ligji dhe me këtë rast ujësjellësi dëmtohet rreth 120 mijë euro”, tha ai.

Për këto të gjetura Zabërgja zotohet se janë të vërteta duke thënë se ka fakte dhe dëshmi dhe se të gjitha i ka drejtuar edhe në prokurori.

Lidhur me Kërkesën dhe Aktvendimin, KALLXO.com ka kontaktuar me kryeshefin ekzekutiv Gjelosh Vataj. Ai ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen përmes emailit ndërkaq, as përmes emailit nuk ka kthyer përgjigje.

Por, edhe Bordi i Kompanisë, më 24 shkurt 2016, kishte marrë një vendim për ish ushtruesin e detyrës së kryeshefit ekzekutiv Selatin Retkoceri, që tash punon si Zyrtar Kryesor Financiar.

Në këtë datë Retkocerit iu ka lëshuar një vërejtje me shkrim nga Bordi me akuzat se nuk ka raportuar në mbledhjen e Bordit, për ‘sjellje arrogante’ të tij në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve kundrejt anëtarëve të Bordit, shpifjet, krijimi i pasigurisë tek partnerët, dalja në medium pa autorizim nga Bordi.

Sipas arsyetimit të vërejtjes me shkrim këto sjellje janë në kundërshtim me Ligjin mbi Ndërmarrjet Publike dhe Kodit të Etikës. Këto sjellje sipas arsyetimit janë bërë pas datës 13 nëntor 2015 kurse vërejtja është dhënë gati katër muaj më pas.

Retkoceri i cili ka qenë i ftuar në emisionin “Jeta në Kosovë” më 11 shkurt 2016, lidhur me këtë vërejtje ka thënë se vendim i ndikuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe prej njerëzve të ndryshëm që i ka apostrofuar në emision.

“Për shkak të asaj që vërtetë unë kam prezantu në media dhe për shkak të tentimit tim për të mbrojë ligjshmërinë edhe ligjet në fuqi unë kam dalë, jam prononcu. Unë mendoj që nuk e kam thyer asnjë prej ligjeve as kodin përkundrazi kom publiku gjëra të cilat duhet të publikohen”, tha Retkoceri.

Sipas tij ligji ia lejon të dalë në media dalë për të dhënë deklarata edhe pa marrë leje. Madje Retkoceri thotë se edhe Vataj në kohën sa ka qenë ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv nuk ka pas nevojë të marrë leje prej askujt.

“Ata kanë kërku që rendi i ditës të jetë raportimi i ushtruesit të detyrës për periudhën 3 mujore dhe në mbledhje është hequr raportimi dhe është futë shqyrtimi i rekomandimeve të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, për të rishikuar edhe një herë vendimin e bordit të vjetër. Meqenëse është hekë prej rendit të ditës raportimi nuk kam pranu me raportu para Bordit”, tha ai.

Sipas tij, Bordi këtë vendim të Retkocerit për të mos raportuar e kanë quajtur si veprim i pamatur dhe në kundërshtim me ligjin. Ndërkaq, Retkoceri mendon se vërejtja i është bërë shumë me vonesë.

Amir Gashi, kryesues i Bordit të Drejtorëve, ka thënë për KALLXO.com, se Bordi pas sjelljeve të Retkocerit të cilat kanë qenë të pa hijshme me datë 13.11.2015 ka mundur ta shkarkojë atë menjëherë nga detyra.

“A e din çka do me thanë mos me i raportu Bordit? Automatikisht Bordi ka të drejtë me shkarku me çu prej shpije, me ja ndërpre kontratën. Ka qenë pikë e rendit të ditës me informu bordin me procese dhe gjitha ato që kanë ndodh”, tha ai.

Sipas Gashit, raportimi i Retkocerit nuk është larguar nga rendi i ditës por ka hyrë tek pika të ndryshme ku është paraparë një informatë.

“Ai ka qenë shumë i zhgënjyer me vendimin e Bordit dhe ka thënë se unë nuk e njoh këtë Bord, ka dal i ka përplas dyert dhe ne nuk kemi dashtë me u bo niveli i njëjtë me të dhe i kemi mbledh disa shkelje  dhe në bazë të atyre shkeljeve ne o dashtë me i dhanë një vërejtje me i tregu që nuk je në rregull”, tha Gashi.

Sipas tij Retkoceri po krijon pasiguri te donatorët kur thotë se ndërmarrja është afër falimentimit. “Këto janë shpifje dhe nuk janë reale”, tha Gashi.

Ai tha se punët në fabrikë do të kryhen me një dinamikë të madhe dhe do të përfundojnë brenda afatit kohor.

Sa i përket vendimit që është marrë gati katër muaj më vonë, Gashi tha se Bordi ka dashur të jetë i kujdesshëm për shkak të ndjeshmërisë. Ai tha se kanë dashur që edhe t’i japin kohë për t’u përmirësuar Retkoceri por, sipas tij, ka qenë e kotë.

Lufta për Ujë