Kryetari aktual i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, Foto: Facebook

Pas ankesave të studentëve kryetari i Kamenicës pezullon vendimin për ndarjen e bursave

Në një njoftim të postuar në rrjetin social Facebook, Qëndron Kastrati sqaroi arsyen e vendimit për pezullimin e vendimit për ndarjen e bursave për studentë

“Pas pranimit të shqetësimeve nga studentët lidhur me procesin e ndarjes së bursave, nënshkrimi i marrëveshjeve për përfituesit e bursave pezullohet deri në rishikimin e aplikacioneve”, ka shkruar Kastrati.

“I kam dhënë detyrë komisionit përkatës që këtë të shtunë dhe të dielë të punojnë dhe të bëjnë trajtimin e secilës ankesë. Ftoj aplikantët, të cilët janë të pakënaqur nga vendimi i komisionit, që të paraqesin ankesat te komisioni nesër dhe pasnesër nga ora 10:00 deri në 16:00 në objektin e komunës. Të jeni të sigurtë që do ta trajtojmë secilën ankesë dhe do të korigjojmë secilën padrejtësi eventuale”, thuhet në fund të postimit të tij.

Për ditën e sotme ishte paraparë që të bëhej nënshkrimi i kontratave me fituesit e përgjedhur, por kjo është shtyrë për shkak se drejtoria e Arsimit në Kamenicë, gjatë ditës së djeshme ka njoftuar që nënshkrimi i kontratave me këta studentë do të shtyhet.

“Për shkak të rrethanave të reja të krijuara, nënshkrimi i marrëveshjeve për përfituesit e bursave shtyhet pas rishikimit të aplikacioneve dhe shqyrtimit të ankesave. Për kohën dhe vendin do të njoftoheni me kohë. Të gjithë aplikuesit që janë të pakënaqur me vendimin e komisionit për ndarjen e bursave, mund të paraqesin ankesë te komisioni nesër dhe pasnesër nga ora 10:00 deri në ora 16:00 në objektin e komunës. Kryetari Kastrati bashkë me ekipën do të kujdeset që secila ankesë të trajtohet me kujdes dhe çdo padrejtësi do të korigjohet, thuhet në njoftimin e DKA-së në Kamenicë”, përfundon komunikata e Drejtorisë së Arsimit në Kamenicë.

Komuna e Kamenicës më 7 dhjetor 2018, kishte publikuar vendimin me listën e përfituesvë të bursës komunale në shumë prej 400 euro. Të drejtën e përfitimit në këto bursa e kishin marrë 57 studentë.

Kriteret mbi bazën e të cilave është bërë kjo përzgjedhje e fituese kishin qenë, numri i studentëve në familje, gjendja ekonomike, drejtimi i studimeve dhe lartësia e notës mesatare.

Studentja e mjekësisë që studion në Universitetin e Tetovës, Feride Kryeziu nga Rogana tha për Kallxo.com se kishte aplikuar me kohë në konkursin e shpallur nga komuna e Kamenicës për të fituar bursën komunale dhe se çuditërisht ajo edhe pse me notë mesatare 8.2, nuk ishte në listën e përfituesve.

Ajo tha për Kallxo.com që nuk e di arsyen se pse nuk ishte përzgjedhur si fituese, kur në listë kishte edhe emra të përfituesve me notë mesatare 6.69, pra më të ulët se nota e saj.

Ajo tha për më tepër që në procedurën e ankimimit do të kërkojë sqarime nga kryetari dhe komisioni për arsyen e mospërfshirjes së saj në këtë list.

Studentja tjetër e fakultetit të shkencave Matematiko-Natyrore-drejtimi Biokimi nga fshati Karaqevë e Ulët, që nuk deshi të i përmendet, edhe pse me notë mesatare të studimeve 8.13, tha për Kallxo.com se nuk ka pranuar asnjë njoftim nga komuna e Kamenicës se përse nuk i është dhënë e drejta për ta gëzuar këtë bursë.

Madje, ajo tha se i ka dorëzuar më datë 4 dhjetor 2018, brenda afatit të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për aplikim dhe se kishte pritur që do të jetë fituese e kësaj burse.

Në fund për Kallxo.com, studentja në fjalë, tha se shpreson që pas procedurës ankimore të fitoj të drejtën e saj për ta gëzuar këtë bursë.

Të pyetur nga Kallxo.com nga zyra e kryetarit të komunës në Kamenicë, për arsyen marrjes së këtij vendimi, në përgjigjen e saj, zyrtarja për mardhënie me publikun në komunën e Kamenicës, Margarita Rashiti, në një përgjigje konfirmoi  që pas publikimit te listave, kanë pranuar shqetësime nga ana e studentëve.

“Kandidatët që nuk e kanë gjetur veten në listë kanë nisur të ankohen. Pasi që ky proces po ndodhë pas shumë vitesh në Komunën e Kamenicës, duam që të jetë sa më transparent dhe pa probleme. Prandaj, kryetari Kastrati ka vendosur që të pezullohet deri në rishqyrtimin e aplikacioneve dhe ankesave”, ka thënë ajo.