Komuna e Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Pas ankesave të qytetarëve, lirohet për qarkullim rruga 'Garibaldi' në Prishtinë

Rruga nga Katedralja e deri tek hotel ‘Grandi’ në Prishtinë ishte mbyllur sot për qarkullim të automjeteve me vendim të Komunës së Prishtinës.

‘’Ndalohet qarkullimi i mjeteve në rrugën ‘ Garibaldi’ nga udhëkryqi me rrugën ‘Luan Haradinaj dhe rruga ‘George Bush’  deri te kryqëzimi me Bill Klinton për të krijuar hapsirë të lirë për lëvizje të këmbësorëve gjatë vikendit me datën 30 shtator 2018, nga ora 06:00 deri në orën 24:00’’, thuhet në vendimin e Komunës së Prishtinës.

Edhe pse rruga ishte paraparë të qëndrojë e mbyllur për automjete deri në orën 24:00, Komuna e Prishtinës e ka ndryshuar këtë vendim.

Majori Shkelzen Xhafa nga Stacioni i Policisë Qendra tha për KALLXO.com se kjo rrugë është liruar për qarkullim rreth orës 20:00 pas shumë ankesave të qytetarëve për të gjetur rrugë alternative.

‘’Pas shumë ankesave nga qytetarët, Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që të lirojë rrugën për qarkullim edhe pse kjo rrugë ishte paraparë të qëndrojë e mbyllur deri në orën 24:00’’, tha Xhafa për KALLXO.com.