Partnerët e koalicionit pritet të takohen sot në ora 14:00

Partnerët e koalicionit të qeverisë në largim, priten të takohen sot në ora 14:00 në zyrën e Kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj.

Ky i fundit gjatë ditës së djeshme u ka dërguar ftesë partnerëve të koalicionit për takim.

Ai ka ftuar, kryetari e PDK-së, Kadri Veseli, kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj dhe kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacolli.

Njoftimin se do t’i ftoj në takim e kishte dhënë Haradinaj gjatë ditës së djeshme.

Ai kishte ironizuar kur ishte pyetur se çfarë do të diskutojnë gjatë këtij takimi.

“Do të diskutojmë për ngrohjen globale”, kishte thënë gjatë ditës së djeshme Haradinaj.

Haradinaj ishte akuzuar nga partnerët e koalicionit për shkak se nuk i kishte lajmëruar paraprakisht për vendimin për të dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Edhe të premten e kaluar, kur Haradinaj i njoftoi se do e dërgoj në Gjykatë Kushtetuese kërkesën për interpretim ligjor për thirrjen e mbledhjeve të Qeverisë dhe marrjen e vendimeve, ai u kritikua nga Enver Hoxhaj.

Ky i fundit, i kërkonte Haradinajt që të takohej me partnerët e koalicionit para se të marrë vendime të tilla.

KALLXO.com do e transmetoj drejtpërdrejtë takimin e liderëve të koalicionit Qeverisës.

Haradinaj dha dorëheqje më 19 korrik pas ftesës që kishte marrë nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar si i dyshuar për krime lufte.

Deri më tani, të gjitha partitë politike janë shprehur të gatshme për zgjedhjet e parakohshme, por Kuvendi ende nuk është shpërndarë.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi pritet që gjatë kësaj jave t’i mbledhë partitë politike për të diskutuar për procedurat e mëtutjeshme.

https://kallxo.com/kete-jave-priten-konsultimet-a-do-ta-zhbllokoje-presidenti-gjendjen-pas-doreheqjes-se-haradinajt/

.