PSD homazhe te varri i Arben Xheladinit - Foto: Facebook

Partia Socialdemokrate kujton aktivistët e Vetëvendosjes

Anëtarë të Partisë Socialdemokrate sot kanë bërë homazhe pranë varrit të Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, në përkujtim të jetës dhe veprës së tyre.

Kjo parti përmes një publikimi në Facebook ka thënë se data 10 shkurt 2007 është dëshmi që historia mund të shkruhet edhe nga të shtypurit, ndonëse kanë shtuar se vrasësit e tyre ende nuk kane marrë dënimin.

“Arbeni dhe Moni kanë rënë për liri dhe barazi në demonstratën e 10 shkurtit 2007, data-dëshmi se historia mund të shkruhet edhe nga poshtë, nga pozitat e të shtypurve.

Dymbëdhjetë më vonë, urdhërdhënësit dhe vrasësit e Arbenit dhe Monit janë ende të lirë. Dhe sot nuk e gëzojmë ende lirinë e drejtësinë për të cilën ranë ata dhe u plagosën mbi tetëdhjetë protestues të tjerë.

Kujtimi i 10 shkurtit ka aq vlerë sa besnikëria ndaj kërkesës së tij, kërkesave të sotme”, thuhet në publikim.