Partia e Shpend Ahmetit e nis rrugën politike me ndarje

Partia Social Demokrate e Kosovës e cila nga sot do të udhëhiqet nga i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka konsoliduar radhët e veta.

Ata përmes një komunikate për media kanë njoftuar se kanë zgjedhur kryetarin, nënkryetarin dhe sekretarinë e partisë.

Shpend Ahmeti është zgjedhur kryetar, Visar Ymeri nënkryetar dhe Aida Dërguti sekretare e përgjithshme e partisë.

Në po këtë komunikatë, PSD-ja thotë se Këshilli Drejtues i Partisë ka marrë vendim që të tërhiqet nga koalicioni që PSD-ja e “vjetër” kishte pasur me PAN-in para zgjedhjeve të fundit.

“Në këtë mbledhje u zgjodh edhe Këshilli Drejtues i partisë si dhe morëm vendim që PSD të tërhiqet nga koalicioni i lidhur me PAN para zgjedhjeve të fundit parlamentare”, thuhet në komuniaktën e sotme të PSD-së.

Mirëpo para dy ditësh, shefi i grupit parlamentar të deputetëve të pavarur, tani të PSD-së, Dardan Sejdiu deklaronte për KALLXO.com se PSD-ja nuk ka koalicion me PAN-in, ndërsa sot vendimin e parë që kjo parti e mori ishte largimi nga ky koalicion.

Sejdiu nuk e pranonte që kanë koalicion në mes të PSD-së dhe PAN-it. Ai nuk e llogariste si koalicion, meqë PSD-ja nuk është e përfaqësuar as në Qeveri e as në Kuvend me ndonjë deputet.

I pyetur nëse do ta rishqyrtojnë këtë koalicion, Sejdiu përsëriste se s’ka koalicion në mes të PAN dhe PSD-së.

“Nuk ka koalicion PSD-ja me PAN-in. Qysh me rishqyrtu diçka që nuk ka”, kishte thënë Sejdiu gjatë të hënës për KALLXO.com

http://kallxo.com/psd-e-vjeter-ishte-ne-koalicion-me-pan-in-psd-e-re-nuk-e-pranon/