Partia e Erdoganit nuk e duron humbjen, përsëriten zgjedhjet në Stamboll

Pas ankesës së partisë qeverisëse të presidentit Rexhep Tajip Erdogan, autoritetet zgjedhore turke anuluan në mënyrë kontroverse rezultatet e zgjedhjeve bashkiake të Stambollit, të cilat i fitoi kandidati i opozitës.

 

Këshilli i Lartë Zgjedhor në Turqi, YSK, të hënën urdhëroi përsëritje të zgjedhjeve për kryebashkiak në Stamboll pasi koalicioni i presidentit Rexhep Tajip Erdogan u ankua për parregullsi pas disfatës së tij në votimet në qytetin më të madh të vendit.

Kandidati i përbashkët popullor i partive kryesore të opozitës, Ekrem Imamoglu, nga Partia Popullore Republikane, CHP, fitoi zgjedhjet më 31 mars, duke fituar 23,000 vota më shumë se rivali i tij i mbështetur nga Erdogani në Stamboll.

Humbja në Stamboll, së bashku me humbjet elektorale në qytetet e mëdha metropolitane përfshirë kryeqytetin Ankara, Izmir, Antalia, Adana dhe Mersin ngriti pikëpyetje mbi fuqinë e pushtetit të Erdoganit.

Koalicioni i tij paraqiti një sërë ankesash rreth parregullsive të dyshuara në zgjedhje, edhe pse opozita mohoi të kishte pasur probleme të mëdha në zgjedhje.

“Është e qartë se ka korrupsion dhe dyshime serioze përsa i takon zgjedhjeve në Stamboll. YSK duhet të anulojë zgjedhjet dhe në këtë mënyrë, YSK duhet të pastrojë veten,” tha Erdogan më 4 maj, dy ditë para marrjes së vendimit nga organi zgjedhor.

Erdogan dikur ishte kryebashkiaku i Stambollit dhe qyteti ka rëndësi simbolike për liderin që ka qenë në pushtet për 16 vjet.

Kandidati për kryebashkiak i opozitës, Imamoglu, u bëri thirrje mbështetësve të tij në Stamboll të rinovojnë përpjekjet e tyre për të fituar kontrollin e qytetit, duke përdorur një citat nga themeluesi i Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk.

“Vendimmarrësit në vend mund të jenë gabim, e madje edhe tradhtarë, por ne nuk do të heqim dorë kurrë. Mos e humbisni shpresën! Çdo gjë do të shkojë mirë,” tha Imamoglu.

Pas deklaratës së Imamoglu, banorët në disa lagje të Stambollit protestuan kundër vendimit të YSK-së duke bërë zhurmë me tenxhere dhe tiganë nëpër ballkonet e tyre.

Drejtori i komunikacionit në Presidencën turke, Fahrettin Altun, tha se vendimi për anulimin e rezultatit tregonte se vendi mban zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Ne jemi gjithashtu të sigurt se sistemi i drejtësisë do të mbajë përgjegjës të gjithë individët dhe organizatat që shkelën ligjet zgjedhore gjatë këtij procesi,” tha Altun, njoftoi agjencia e lajmeve Associated Press.

Por partitë opozitare të Turqisë e kundërshtuan me forcë këtë vendim.

Zëdhënësi i CHP Faik Oztrak tha për mediat se kjo ishte “vrasje e sundimit të ligjit”.

Meral Aksener, kreu i partisë së re opozitare, tha se kjo ishte “qartazi një grusht shteti civil”.

OJQ-ja më e madhe e biznesit e Turqisë, Shoqata Turke e Industrisë dhe Biznesit, TUSIAD, tha se vendimi ishte shqetësues mes krizës së thellë ekonomike të Turqisë.

“Siç kemi theksuar përpara rezultateve të zgjedhjeve më 31 mars, duhet të përqendrohemi në një agjendë gjithëpërfshirëse të reformave ekonomike dhe demokratike,” tha TUSIAD në Tëitter.

YSK njoftoi se zgjedhjet e reja do të mbahen më 23 qershor.

Sipas YSK, vendimi u mor pasi disa zyrtarë dhe anëtarë të stafit të qendrave zgjedhore nuk ishin nëpunës civilë, siç supozohet të jenë sipas ligjit turk.

Megjithatë, zgjedhjet për këshillin e qytetit metropolitan, në të cilin koalicioni qeverisës i Erdoganit ka shumicën, dhe për komunat e qarkut, nuk u anuluan.

Qyteti i Stambollit do të drejtohet nga një administrator i cili do të emërohet nga ministria e brendshme derisa të mbahen zgjedhjet e reja.