Eroll Venhari - Partia e Drejtësisë - Vushtrri

Partia e Drejtësisë: Komuna e Vushtrrisë nuk respekton Ligjin në Komitetin për Politikë dhe Financa

Me 8 tetor të vitit të kaluar, Ministria e Drejtësisë ka paditur Komunën e Vushtrrisë për shkak se nuk ka respektuar Ligjin për Barazi Gjinore gjatë procedurës së emërimit të anëtarëve të Komitetit për  politikë dhe financa.

Eroll Venhari, Kryetar i Partisë së Drejtësisë në Vushtrri ka treguar për KALLXO.com për shkeljet që ai pretendon se janë bërë nga Komuna e Vushtrrisë në emërimin e anëtarëve të këtij Komiteti.

“Komiteti i ka nëntë ulëse, dhe në zgjedhjet e fundit Kuvendi Komunal i Vushtrrisë përfaqësohet nga 9 subjekte politike, dhe në mesin e tyre jemi edhe ne si Parti e Drejtësisë, dhe me këto udhëzime administrative në do të duhej të ishim  të përfaqësuar në Komitetin për Politikë dhe Financa nga asamblisti ynë Ermal Lahu”, ka thënë Venhari.

Venhari ka treguar se kush është fajtori kryesor qe partia e tyre nuk ka një përfaqësues në Komitetin për Politikë dhe Financa në Komunën e Vushtrrisë.

“Një gjë e tillë në mungesë të vullnetit politik të anëtarëve të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, dhe në mungesë dhe papërgjegjësi totale të  Ministrisë së Administratës dhe pushtetit lokal kemi mbetur të pa përfaqësuar”, tregon Venhari.

Partia e Drejtësisë në Vushtrri i është drejtuar edhe Kryesuesit të Kuvendit Komunal, Nasuf Aliu, por ky i fundit ka treguar se përgjegjësia i takon dikujt tjetër.

“Ne për këtë çështje kemi biseduar me kryesuesin e Kuvendit Komunal, dhe në një formë ka të drejtë në përgjigje se kemi vepruar drejtë për arsyeje se vendimin tonë ja kemi dërguar MAPL-së, dhe MAPL nuk ka marrë kurrfarë mase që tregon se vendimi është jo i rregullt”, thotë Venhari.

Pas Komunës, Partia e Drejtësisë i është drejtuar edhe Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal nga të cilët nuk kanë pranuar një përgjigje konkrete.

“Neve i jemi drejtuar me dy ankesa MAPL-së, dhe MAPL nuk është duke u përgjigjur komfor udhëzimit administrative, dhe të dy përgjigjet kanë ardhur në formë të rekomandimeve. Ne do të shkojmë edhe me një shkresë të fundit ku do të kërkojmë nga MAPL të nxjerrë vendim dhe jo rekomandim përkitazi me këtë çështje sepse MAPL me përgjigjen e tyre po na vërteton se kemi të drejtë po nuk po e thotë por tërthorazi po i përmend ligjet dhe nenet që ne ja kemi përmendur”, thotë Venhari.

KALLXO.com në lidhje me përbërjen e Komitetit për Politikë dhe Financa në Komunën e Vushtrrisë ka kontaktuar edhe me kryesuesin e Kuvendit Komunal në Vushtrri, Nasuf Aliu, i cili përmes emailit ka thënë se Komiteti është themeluar në bazë të Udhëzimeve Administrative.

“Ju informojmë se çelësi i themelimit të këtij komiteti është bërë komfor Udhëzimit Administrativ për Procedurën eThemelimit, Përbërjen dhe Kompetencat e Komiteteve të Përhershme në Komunë i cili parasheh përfaqësimin eentiteteve politike si dhe numrin e ulëseve nga entitetet politike të përfaqësuara në kuvendin e komunës”, ka thënë Aliu.

Ndërsa në përgjigjen e MAPL-së dhënë për KALLLXO.com thuhet se: “Duke pasur parasysh se në shumicën e rasteve, numri i subjekteve pjesëmarrëse në kuvend të komunës është më i madh se numri i lejuar me Udhëzimin Administrativ për anëtar të komitetit, është i pamundur të përfshihen të gjitha subjektet në komitet, zgjidhja duhet të bëhet në bazë të renditjes së subjekteve sipas fuqisë së përfaqësimit. MAPL, është e gatshme të ofrojë përkrahjen dhe ndihmën e nevojshme, për zbatimin e plotë të obligimeve që dalin nga legjislacioni i zbatueshëm për vetëqeverisje lokale në Republikën e Kosovës”.