Paraqiten rastet e para të pickimit të rriqrave

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHP) njofton se në vatrat endemike ka filluar pickimi i rriqrave që sipas tyre është paralajmërimi i parë për mundësinë e shfaqjes së sëmundjes.

Instituti përmes një lajmërimi thotë se numri i të pickuarve ka arritur në 50, ndërsa ka dhënë rekomandimet se si duhet shmangur kontaktin me to.

“Mos qëndroni gjatë dhe pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre. Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende, veshni rroba të gjata dhe pantallonat futni në çorapë. Duhet të përdorni preparate me të cila lyejmë pjesët e trupit të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut e sidomos në pjesët e zbuluara të trupit, (shuplakat, qafën)”, rekomandon IKSHPK.

Megjithatë IKSHP nuk i ka bërë të ditura lokacionet ku janë paraqitur këto raste.

Sipas Institutit gjithmonë njerëzit që i ekspozohen rrezikut duhet të kontrollojnë trupin mos kanë ndonjë rriqër.

“Kontrolloni përsëri trupin pas largimit nga livadhi apo vendet me shkurre. Nëse keni rriqër në trup ofrohuni në qendrën më të afërt mjekësore sa më shpejt. Kositja e barit të bëhet në vazhdimësi (oborr dhe livadhe)Pastrimi dhe dezinfektimi i stallave të bëhet në vazhdimësi”, thotë IKSHPK.

Sipas tyre një rëndësi të madhe duhet kushtuar mbajtjes së higjienës personale.