Paralajmërohet lansimi i fjalorit online shqip- serbisht- shqip

Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM) në bashkëpunim me Zyrën e Komisionarit të Gjuhëve dhe UNMIK-un ka organizuar prezantimin dhe diskutimin lidhur me zhvillimin online të fjalorit shqip-serbisht-shqip, i pari në 30 vitet e fundit.

Svetlana Rakiq, koordinatore e projektit në IOM, tha se në këtë projekt janë angazhuar ekspertë nga Kosova dhe Serbia.

“Në kuadër të këtij projekti për përfshirjen e komuniteteve kemi identifikuar barrierën që është në këtë drejtim, kemi evidentuar platformën e cila quhet “vocup”. “Vocup” kemi filluar ta zhvillojmë me ndihmën e Ambasadës britanike dhe me ndihmën e UNMIK-ut. Fjalori do të ketë deri në 20 mijë fjalë dhe deri në shtator do të jetë i gatshëm” tha ajo.

Una Hajdari gazetare tha se asnjëherë në Kosovë nuk ka pasur ndonjë iniciativë për mësimin e gjuhës serbe në Kosovë.

“Në dallim prej kolegëve të mi flas dy gjuhë dhe raportoj në dy gjuhë. Diçka që duhet të theksohet kur flasim për mangësitë dhe përkthimet në të dy gjuhët është fakti që pas periudhës së luftës nuk ka ekzistuar asnjë iniciativë as nga ana serbe dhe as nga ajo shqiptare që të kthehet të mësohet gjuha tjetër”, tha ajo, duke përmendur faktin se fjalori i fundit për dy gjuhët është i vitit 1985.

Sllavisha Mlladenoviq, komisioner i gjuhëve pranë Qeverisë së Kosovës, u shpreh i bindur që kjo iniciativë do t’i shërbejë bashkëjetesës mes kosovarëve dhe serbëve.

“Kur kemi filluar analizat e para rreth mosrespektimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve kemi arritur konkludime se në Kosovë mungojnë kapacitetet dhe nuk ka resurse që ata do t’i shfrytëzojnë në punën e tyre. Fokusi i punës tonë është administrata. Ne kemi kërkuar arsyet e moszbatimit të Ligjit për gjuhën. Më vjen mirë që donatorët e kanë vërejtur këtë nevojë dhe konsideroj që ata që dëshirojnë të mësojnë gjuhën kjo do t’u ndihmojë dhe japë rastin për zhvillim profesional”, theksoi  ai.

Fjalori online shqip-serbisht-shqip do të publikohet në shtator. Fjalori do të ketë rreth 20.000 fjalë.