Ndërtesa e Komunës së Vitisë - Foto: KALLXO.com

Paralajmërohen Probleme me Digjitalizimin e Kadastrës në Viti

Një qytetar nga komuna e Vitisë është ankuar në KALLXO.com rreth programit të ri të digjitalizimit të ngastrave kadastrale. Ai thotë se me këtë projekt pikat kadastrale nuk përputhen me gjendjen në terren.

“Me programin e ri të digjitalizuar një pjesë e pikave kadastrale nuk përputhet me gjendjen në terren. Në bazë të kësaj gjendje del se shumë objekte duhen të rrënohen dhe prona të tjera për t’iu përshtatur gjendjes së re pas digjitalizimit. Në komunën tonë ndodhë që gjysma e fshatit duhet të zhvendosen për 1-2 metra”, thotë qytetari, i cili ka kërkuar të mos i publikohet emri.

Ai gjithashtu pretendon se ka qytetar që për rreth 50 vjet jeton në kufijtë e pronës së tij dhe tash me programin e ri atij i duhet që të bëjë ndryshime, “të cilat janë të pamundura për shkak të ndërtimeve”.

Tajar Neziri, udhëheqësi për Gjeodezinë në Drejtorinë për Kadastër, Pronë dhe Gjeodezi të Komunës së Vitisë, në një përgjigje për KALLXO.com thotë se ky projekt që pritet të realizohet në komunën e Vitisë nuk ka të bëjë asgjë lidhur me pronat private të asnjë zone kadastrale dhe aq më pak me parcelat të cilat kanë ndonjë mospërputhje të të dhënave zyrtare me ato në terren.

“Hartat kadastrale digjitale nëpër Zyrat Kadastrale Komunale azhurohen dhe përditësohen individualisht me kërkesën e pronarit juridik dhe çdo njësi apo parcelë kadastrale i ka specifikat e veta qoftë në aspektin teknik dhe juridik. Ekziston baza ligjore dhe ajo nënligjore për zgjidhjen e problemeve teknike për njësitë/parcelat kadastrale në rast të ndonjë mospërputhje eventuale në raport me shënimet zyrtare kadastrale me ato në terren”, ka thënë ai.

Sipas zyrtarit komunal, programi/projekti i planifikuar të realizohet në komunën e Vitisë, përmes përkrahjes nga USAID, nuk ka të bëjë asgjë lidhur me pronat private të asnjë zone kadastrale.