Paralajmërimet e Veselit, Besim Beqaj thërret konferencë për media

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka njoftuar se nesër ministri Besim Beqaj do të mbajë konferencë për media.

Ky njoftim ka ardhur pasi kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli mori vendim që të gjithë zyrtarët e partisë që drejton e të cilët kanë aktakuza, do të lirohen nga detyra zyrtare.

Ministri Besim Beqaj është njëri nga të akuzuarit në rastin njohur si “Pronto”.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit e grupit akuzohen për kryerjen e veprës penale -shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje. Disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Përvec Besim Beqajt, në rastin “Pronto” janë të akuzuar edhe disa zyrtarë të tjerë si ish- deputeti Adem Grabovci, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish Sekretarë të përgjithshëm I.G. dhe Xh.D., ish zëvendësministër F.Sh., këshilltari politik në MPB S.G., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë I.N., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike Hidro-Drini” në Pejë R.A., ish kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë A.P.

Konferenca për media nga ministri do të mbahet nesër nga ora 11:00 në objektin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

https://kallxo.com/a-do-shkarkohet-besim-beqaj-nga-fshesa-e-kadri-veselit/

https://kallxo.com/zyrtaret-e-larte-te-pdk-se-me-aktakuza-qe-u-shkarkuan-nga-kadri-veseli/

.