Paradokset e Fushë Kosovës: Uji i Pijshëm, Por i Turbullt!
Furnizimi me ujë të pijshëm ka qenë ndër premtimet kryesore të kryetarit aktual të Fushë Kosovës, Burim Berisha, në fushatën për zgjedhjet për kryetar të komunës dy vjet më parë.
Dy vjet më pas, banorët e komunës së tij kanë probleme të mëdha me ujë.
Berisha tash duket më i relativizuar për këtë premtim, pasi që thotë që furnizimi me ujë i qytetarëve është më shumë punë e qeverisë qendrore përmes kompanisë rajonale të ujësjellësit.
“Në vitin 2016 është paraparë që të kyçemi në fabrikën e ujit në Shkabaj. Janë bërë disa investime nga qeveria gjermane. Kemi disa burime të ujit por për shkak të rrjetit uji nuk është i pijshëm”, tha Berisha në debatin “Jeta në Komunë”.
Burim Berisha i LDK-së po e mban mandatin e tretë si kryetar i komunës.
Që të gjitha mandatet ai i ka fituar që në raundin e parë, pa pasur nevojë që votuesit të dalin para kutive të votimit për herë të dytë në garën e balotazhit.
Në fakt, LDK e ka qeverisur Fushë Kosovën që nga viti 2000.
Edhe në asamble komunale, LDK është më e madhja me 12 këshilltarë. PDK i ka 6 këshilltarë, Iniciativa Qytetare 2, Vetëvendosje 1, AKR 1, AAK 1, PDAK 1 dhe GIS 1.
Dy vjet pas zgjedhjeve lokale 2013, emisioni Jeta në Kosovë, ka ftuar kryetarin e Fushë Kosovës, Burim Berisha së bashku me asamblistët komunal për të dhënë llogari për përmbushjen e premtimeve të dhëna gjatë fushatës.
“Një pjesë e qytetit që janë të lidhur me Badovcin e kanë ujin e mirë. Ndërsa për një pjesë tjetër, uji është i pijshëm por është i turbullt”, thotë ai.
“Nuk mund të premtoj ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët e Fushë Kosovës sepse nuk është në dorë të komunës. Këtë e menaxhon kompania e ujësjellësit”, u shpreh Burim Berisha.
Por këshilltari komunal nga Iniciativa Qytetare, Ylber Islami, kritikoi kryetarin e komunës për atë se nuk foli për atë çka ka bërë komuna për t’i furnizuar qytetarët me ujë të pijshëm por “çka kanë bërë gjermanët”.
“Çështja më jetike për qytetarët e Fushë Kosovës është furnizimi me ujë të pijshëm. Ka problem jashtëzakonisht të madh”, tha Islami.
Trëndelina Duli nga Vetëvendosje ka folur për premtimin e Berishës për pastrimin e lumenjve që kalojnë në Fushë Kosovë.
“Kemi rregulluar rreth 30 kilometra të shtretërve të lumenjve. Jemi duke pritur një investim austriak dhe po presim nga ta në mënyrë që të mos bëjmë investime kot”, tha Berisha.
Por ai e pranoi që nga pesë impiantet për ujëra të zeza të premtuara dy vjet më parë, nuk është bërë asnjë.
“Nëse shkojmë me një projekt të madh, nuk ka nevojë për ato impiante të vogla. Për katër- pesë muaj do ta dimë nëse ka nevojë apo jo. Nëse do t’i bëjmë, mund ta kryejmë për një muaj”, tha Berisha.
Rreth 13 për qind e popullsisë së Fushë Kosovës përbëhet nga komuniteti rom, ashkali, egjiptas. Ndërkaq, rreth 3 për qind nga komuniteti serb.
E pikërisht lagjet në të cilat jetojnë këto komunitete janë lënë të papastra, me mungesë të gjelbërimit dhe ndriçimit.
Nënkryetari i komunës që vjen nga këto komunitete thotë se lagjet pastrohen por njerëzit, sipas tij, vazhdojnë t’i hedhin mbeturinat në ato deponi ilegale.
Karakteristikë e kësaj komune është se në të gjitha fshatrat ekzistojnë shtëpitë pritëse. Këto shtëpi pritëse janë ndërtuar nga iniciativa e vetë banorëve dhe shfrytëzohen nga banorët kur ata kanë ndonjë rast vdekje.
Shtëpia e parë pritëse është bërë në fshatin Bardh i Madh. Fillimisht komuna nuk ka paguar asgjë për këto shtëpi, por me kalimin e kohës kubëzat, rrethojat etj, kanë filluar të financohen nga komuna.
Tri sfidat me të cilat përballet kryetari i komunës së Fushë Kosovës është furnizimi me ujin e pijshëm dhe sistemi i ujitjes, zhvillimi urban i qytetit dhe qentë endacakë.
Rreth 1500 banorë të Fushë Kosovës kanë emigruar në botën e jashtme gjatë valës së emigrantëve të fundit të vitit të kaluar dhe fillimit të këtij viti.
Në krahasim me disa komuna të ngjashme për nga madhësia dhe numri i popullsisë, komuna e Fushë Kosovës ka numër më të lartë të personave që e kanë lëshuar vendin.
Në Fushë Kosovë janë edhe tri objekte të shtëpive të shëndetit në fshatrat Grabovc, Henc dhe Bardh i Vogël që nuk punojnë shkaku i numrit të vogël të punëtorëve.
Paradoksi i Fushë Kosovës ishte se këshilltarët opozitarë të PDK-së bojkotuan debatin në të cilin patën mundësi ta sfidojnë me pyetje dhe komente kryetarin e komunës.
“I ke trembë ti”, i tha kryetari komunës Jeta Xharrës.
Por me përqindje, matematika i del mirë Burim Berishës në këtë dyvjeçar të qeverisjes.
“I kemi kryer premtimet për 52 për qind”, thotë ai.