Drogë e konfiskuar në një aksion policor - Foto: Policia e Kosovës

Paraburgim të Dyshuarve të Kapur me Narkotik

Dy të pandehurve nga Ferizaj u është caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata e Prizrenit. Ata dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike.

Kështu, Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore dhe ua caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurve me inicialet F.K. dhe R.G.

“Të pandehurit dyshohen për shkelje të Kodit Penal, sepse me datën 27.09.2016, duke e kaluar kufirin ndërshtetëror Shqipëri – Kosovë, në pikën kufitare në Vërmicë me automjetin e markës ”Golf” gjatë kontrollit të automjetit nga Policia Kufitare-Vërmicë konkretisht në motorin e automjetit janë gjetur substanca narkotike në peshë prej 1.995 gr. me qëllim të shitjes apo shpërndarjes e cila është konfiskuar nga ana e policisë së bashku me automjetin”, tha zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prizrenit, Afërdita Kicaj.

Me këto veprime të pandehurit me inicialet F.K. dhe R.G. dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Për këtë vepër penale Kodi Penal parasheh dënimin me gjobë dhe burgim prej dy deri në dymbëdhjetë vjet.