Gjykata në Prizren

Paraburgim të Dyshuarit për Plagosjet pas Lojës

Personi me inicialet F.U. që plagosi dy persona për shkak të një mosmarrëveshjeje pas një loje futbolli, po dyshohet për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

“Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore të Prizrenit të hënën vendosi që ndaj të pandehurit me inicialet F.U. nga Suhareka të caktohet masa e paraburgimit për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale vrasja në tentativë dhe mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve,” tha zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren Afërdita Kicaj.

Ajo tregoi se deri kur vlen kjo masë për të dyshuarin.

“I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së ndalimit, data 16.01.2016 prej orës 21:00 dhe do të zgjasë deri me datën 15.02.2016,” sqaroi zëdhënësja Kicaj.

Kërkesën për paraburgim e kishte dorëzuar në gjykatë Prokuroria Themelore të Prizrenit, ndërsa atë e miratoi gjyqtari i procedurës paraprake.

Sipas prokurorisë, i pandehuri F.U. më 16 janar 2016 në Suharekë pas një përleshjeje fizike me dy persona tjerë, e cila ka ndodhur pas lojës së futbollit, tentoi t’ i privojë nga jeta të dëmtuarit me inicialet R.T. dhe Q.Z. duke nxjerrë pistoletën e markës “M-57” prodhim jugosllav dhe duke shtënë në drejtim të të dëmtuarve nga një distancë e afërt dhe duke u shkaktuar atyre lëndime trupore.

Për plagosjen e këtyre dy personave, KALLXO.com shkroi të dielën.

http://kallxo.com/plagosje-e-dyfishte-pas-lojes-se-futbollit/