Paraburgim të Arrestuarve Pranë Manastirit

Personat me inicialet A.Y, A.K, K.K, K.A. qenë arrestuar më 31 janar në afërsi të Manastirit të Deçanit, ndërsa paraburgimi prej një muaji atyre iu caktua dje në Gjykatën Themelore në Pejë.

Gjyqtarja e këtij rasti tregoi për KALLXO.com arsyet e caktimit të paraburgimit për këta katër persona.

“Disa nga të dyshuarit janë recidivistë (përsëritës) të veprës penale të armëmbajtjes dhe shqiptimi i ndonjë mase tjetër në një fazë të tillë paraqet rrezik për përsëritjen e veprës dhe shkatërrimit të provave,” tha gjyqtarja e procedurës paraprake.

Ndaj këtyre personave prokuroria ka nisur hetimet zyrtare për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të armëve.

Më 1 shkurt kur katër të arrestuarit dolën për herë të parë para gjykatës, prokurorja Valbona Dishaj-Haxhosaj shfaqi dyshimet se personi me inicialet A.Y. ka qenë pjesë e luftës në Siri, ndërsa i arrestuari tjetër A. K. sipas prokurores është kthyer nga Stambolli pas tentativës për t’iu bashkuar kësaj lufte.

http://kallxo.com/prokuroria-dy-nga-te-arrestuarit-e-decanit-lidhje-me-isis/

Kjo seancë u ndërpre për shkak të përfundimit të orarit të punës në orën 16:00 të 1 shkurtit.

Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkoi nga mediet që të tregohen të përmbajtura në lidhje me hetimet që po kryhen ndaj të arrestuarve afër Manastirit të Deçanit, ngase sipas saj raportimet dramatike mund ta dëmtojnë seriozisht procesin.