Paraburgim të Arrestuarit Për Vrasjen në Sopi

Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore të Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit me iniciale  XH. S. nga fshati Sopi e Suharekës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në ndihmë.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prizrenit, Afërdita Kicaj, tha se më datë 03.02.2016, Prokuroria Themelore e Prizrenit, i ka parashtruar Gjykatës kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit XH. S.

“Po të njëjtën ditë, Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti për Krime të Rënda, ka mbajtur seancë, ku të pandehurit me iniciale  XH. S.  i është caktuar masa e paraburgimit në afat prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit, datë 02.02.2016 deri në ora 14:00, dhe  do të zgjasë deri më datën 03.03.2016 në ora 14:00” tha Kicaj.

Një ditë më parë, KALLXO.com raportoi për arrestimin e këtij të dyshuari.

http://kallxo.com/arrestim-dhe-bastisje-per-vrasjen-e-egzon-mazrekut/

Më 27 janar, rreth orës 20:30, familja e Egzon Mazrekut ishte tronditur kur në momentin që ishin duke ngrënë darkë, një person ishte futur në shtëpinë e tyre dhe pas një kacafytjeje në mes sulmuesve dhe Egzonit, ky i fundit kishte mbetur i vdekur nga goditja që kishte marrë me armë zjarri, ndërsa prindi i tij ishte plagosur.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast tragjik.

http://kallxo.com/vrasja-e-egzon-mazrekut-arrestohet-nje-i-dyshuar/