Ilustrim: Drogë e konfiskuar në një operacion të mëhershëm - Foto: Dogana e Kosovës

Paraburgim Shtetasit të Shqipërisë i Kapur me Narkotikë

Gjykata Themelore e Prizrenit e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit D.Gj. nga fshati Reç i Ri (Velipojë, Republika e Shqipërisë).

I pandehuri dyshohet për shkelje të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sepse më datë 18 shtator 2016, duke e kaluar kufirin ndërshtetëror në pikën kufitare në Vërmicë me automjetin “Mercedes Benz” është kapur me një sasi narkotikësh.

“Gjatë kontrollit të automjetit nga Policia Kufitare në Vërmicë, konkretisht në brendësi të motorit, ka fshehur një pako me narkotikë që dyshohet të jetë i llojit marihuanë, në peshë rreth 45.70 gramë, e cila ka qenë e mbështjellë në një pako, e gatshme për shitje”, thuhet në komunikatën e Zyrës për Informim të Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Me këtë veprim i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Për këtë vepër penale Kodi parasheh dënim me gjobë dhe burgim prej 2 deri në 12 vjet.