Paraburgim shoferit të veturës 'BMW X1' që shkaktoi vdekjen e këmbësorit në Prishtinë

Gjykata e Prishtinës i ka caktuar një muaj paraburgim vozitësit, i cili dyshohet se të dielën e goditi me makinë viktimën V.M. tanimë i ndjerë.

I ndjeri në momentin kur ishte goditur nga makina kishte qenë duke e kaluar rrugën së bashku me një fëmijë, i cili sipas informacioneve nuk ka pësuar lëndime, por si pasojë e frikës ishte transportuar në Qendrën Emergjente në Prishtinë.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.B. i dyshuar se kreu veprën penale rrezikim i trafikut publik.

Sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se të dielën e kaluar rreth mesditës në Bulevardin “Bill Klinton”, në Prishtinë, i pandehuri E.B. derisa ishte duke drejtuar automjetin e tipit “BMW X1”, ka vepruar në kundërshtim me rregullat e Ligjit mbi Trafikun Rrugor, dhe nga pakujdesia kishte goditur këmbësorin, tani të ndjerin V.M., i cili në ato momente ka qenë duke kaluar rrugën së bashku me fëmiun tre vjeçar N.M., me ç’ rast i ndjeri V.M. ishte goditur nga automjeti dhe kishte pësuar lëndime vdekjeprurëse, vdekja e të cilit është konstatuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor i ndihmës së shpejtë. Ndërsa fëmiu N.M., nuk kishte pasur fare kontakt me automjetin, mirëpo si pasojë e frikës ishte transportuar në Qendrën Emergjente në Prishtinë.

Në komunikatën për media të lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës thuhet se Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.B. është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tyre në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.