Paraburgim Policëve të Arrestuar

Gjykata Themelore në Prishtinë ua caktoi sot paraburgimin prej një muaji dy policëve B. K. dhe A. G. të arrestuar dje.

Lajmin për KALLXO.com e bëri të ditur Asdren Hoxha, avokati i njërit nga policët.

Hoxha e cilësoi absurd vendimin për caktimin e paraburgimit, duke treguar se ai u bazua në rrezikun e ndikimit në dëshmitarë dhe mundësinë e përsëritjes së veprave penale.

Avokati deklaroi për KALLXO.com se nuk qëndrojnë asnjëra nga arsyet e marra parasysh për caktimin e paraburgimit, pasi sipas tij dy policët tashmë janë suspenduar e nuk mund të ndikojnë në dëshmitarë, e aq më pak të përsërisin veprat.

Hoxha bëri të ditur se ndaj vendimit për paraburgim do të ankohet në Gjykatën e Apelit.

Paraburgimin e kishte kërkuar prokuroria nën pretendimet se policët dyshohen për shpërdorim detyre dhe fshehje të dëshmive.

Seanca për caktimin e masës së sigurisë kishte filluar në orën 12 e 30 minuta. Dje policëve të arrestuar u ishte caktuar ndalimi prej 48 orësh.

Për arrestimin e dy policëve shkroi dje KALLXO.com.

http://kallxo.com/dy-police-te-arrestuar-ne-prishtine/