Paraburgim për të dyshuarit që ndihmuan grabitësin e bankës në Istog

Gjykata Themelore në Pejë u ka caktuar masën e paraburgimit dy të dyshuarve Y.M. dhe U.M. për ndihmë të dhënë për Kamer Metaj në grabitjen e bankës gjatë ditës së djeshme në Istog ku mbeti i vrarë vetë Metaj dhe pjesëtari i Policisë së Kosovës, Izet Demaj.

Ata dyshohet se me qëllim të vjedhjes grabitqare me makinën e tani të ndjerit e kanë sjellë nga fshati Shushicë e Ulët, pranë bankës së NLB-së, me ç’rast i pandehuri kishte dalë nga vetura dhe ishte drejtuar për në bankë, ndërsa me të filluar ballafaqimi me policinë dy të dyshuarit kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

Vendimi për paraburgim është bërë në bazë të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë.