Gjykata në Ferizaj

Paraburgim për të dyshuarin për therjen e 26 vjeçarit në Ferizaj

Të pandehurit me inicialet A.A., i cili disa ditë më parë theri një person me inicialet E.I. dhe i shkaktoi plagë vdekjeprurëse, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.A., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale pjesëmarrja në rrahje dhe veprën penale të kryer në bashkëkryerje lëndim i lehtë trupor.

Sipas njoftimit të Gjykatës, “i pandehuri A.A., së bashku me të pandehurit D.Sh. dhe M.M.,  dyshohet se në një kafeteri në Ferizaj, pas një mosmarrëveshje të mëhershme me tani të ndjerin E.I., ishin nisur të përgatitur për në kafeteri, ku e kanë ditur se gjendet tani i ndjeri E.I. dhe pasi hynë në kafeteri në mënyrë të befasishme duke e goditur disa herë me thikë tani të ndjerin dhe duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse, ndërsa i shkaktojnë lëndime trupore të dëmtuarit E.Sh., dhe I.E. me të cilat veprime po ashtu kanë shkaktuar frikë te pjesëmarrësit në kafeteri”.

Sipas Gjykatës Themelore, me këto veprime i pandehuri A.A. dyshohet se ka kryer veprën penale pjesëmarrja në rrahje dhe  veprën penale të kryer në bashkëkryerje lëndim i lehtë trupor dhe i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.