Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Paraburgim për shoferin e autobusit për aksidentin me fatalitet në Grabovc

Gjykata e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji shoferit të autobusit për aksidentin ku mbeti një i vdekur në fshatin Grabovc i Epërm.

Sipas Gjykatës, masa e paraburgimit i është caktuar të dyshuarit V.A. për shkak se i njëjti ka kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik.

Sipas Prokurorisë, shoferi i autobusit gjatë vozitjes duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet atmosferike, ka shkaktuar një aksident komunikacioni, i cili ka rezultuar me fatalitet.

Në këtë rast e ka goditur një veturë, goditje nga e cila ka vdekur njëri nga pasagjeret e kësaj veture.

“Ekziston dyshimi i bazuar në fshatin Grabovc i Epërm të komunës së Obiliqit i pandehuri V.A. ka drejtuar autobusin duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet atmosferike, me gjendjen e ngarkesës dhe gjendjen e sistemit të frenimit, me ç ‘rast ka shkaktuar aksident komunikacioni duke e goditur automjetin VW Golf 19E dhe duke i shkaktuar shoferit lëndime dhe pasagjerit A.K., i cili pas aksidentit ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë”, thuhet në komunikatë për media të Gjykatës së Prishtinës.

Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

https://kallxo.com/nje-i-vdekur-e-dy-te-lenduar-ne-aksidentin-mes-autobusit-dhe-vetures-ne-grabovc/

.