Paraburgim për Ismajl Kurteshin

Deputetit të “Vetëvendosjes” Ismajl Kurteshi i është caktuar paraburgimi në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Lajmin për caktimin e paraburgimit ndaj Kurteshit e konfirmoi për KALLXO.com avokatja e tij Teuta Zhinipotoku.

Sipas Zhinipotokut, masa e paraburgimit për Kurteshin është e vlefshme deri më 30 dhjetor.

Ajo tha se do të ankohet ndaj kësaj mase të caktuar për të mbrojturin e tij.

11:41

Përfundoi Seanca Ndaj Ismajl Kurteshit

Deputeti i “Vetëvendosjes” doli sot në seancë dëgjimore pasi u arrestua nga policia për shkelje të urdhrit të gjykatës.

Teuta Zhinipotoku, avokatja e Ismajl Kurteshit e konfirmoi për KALLXO.com përfundimin e seancës dëgjimore në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Ajo tha se është në pritje të vendimit për masën e sigurisë ndaj Kurteshit, ndërsa tregoi se prokurori Ilaz Beqiri ka kërkuar paraburgim për deputetin e “Vetëvendosjes”.

Kurteshit masa e arrestit shtëpiak iu caktua më 2 dhjetor, për aktivizim të gazit lotsjellës në seancën e Kuvendit të zhvilluar më 30 nëntor.

Pas aktivizimit të lotsjellësit, Kurteshi tha për medie se “vetëm po i bënte një argat vendit”.

Ai shkeli masën e arrestit shtëpiak të shtunën, kur u paraqit me një fjalim në manifestimin e opozitës të mbajtur në Gjilan.