Gjykata në Prizren | Foto: KALLXO.com

Paraburgim për gruan e dyshuar se goditi burrin me thikë në qafë

E pandehura J.G nga Prizreni, do të qëndrojë në paraburgim në periudhë kohore prej 30 ditësh, me vendim të Gjykatës së Prizrenit.

Ajo po dyshohet të ketë kryer veprën penale të lëndimit të rëndë trupor ndaj të dëmtuarit – bashkëshortit të saj, dhe veprën penale Dhuna në Familje.

Sipas Prokurorisë së Prizrenit, e dyshuara J.G, më 27 maj, pak pas mesnatës, në shtëpinë e tyre të përbashkët i ka shkaktuar lëndime të rënda të dëmtuarit – bashkëshortit të saj me iniciale M.B.

Pas një mosmarrëveshje paraprake, fillimisht me fjalosje verbale e më pastaj e dyshuara, sipas prokurorisë, e ka goditur me thikë në qafë bashkëshortin e saj.

I dëmtuari M.B, ka arritur ta nxjerrë nga qafa thikën, deri sa e pandehura është larguar nga shtëpia.

Pas incidentit, i dëmtuari është paraqitur në emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit.

Në njoftimin e lëshuar nga Gjykata e Prizrenit për caktimin e paraburgimit nuk jepen detaje të mëtutjeshme për lëndimet e pësuara nga i dëmtuari, apo edhe arsyet se pse ka ardhur deri te rasti.