Vrasja ne Ferizaj - KALLXO - 20.02.2019

Paraburgim ndaj të miturit të dyshuar për vrasjen në Ferizaj

Një muaj paraburgim është caktuar ndaj të miturit i cili dyshohet se ka vrarë dje një person afër stacionit të autobusëve në Ferizaj.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka njoftuar se aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të miturit Sh.R , i dyshuar për vrasje të rëndë, dhe mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve.

Sipas njoftimit, i mituri dyshohet se dje, për motive të ulëta nga hakmarrja, me dashje, në mënyrë dinake ka privuar nga jeta tani të ndjerin M.A, duke ju afruar nga mbrapa dhe duke e qëlluar me revole një herë në kokë dhe dy herë në shpinë.  Viktima është rrëzuar në tokë, dhe i mituri është larguar nga aty,ndërsa viktima ka vdekur.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për të Mitur, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të miturit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditëve.

KALLXO.com ka raportuar dje për vrasjen në Ferizaj.

Sipas kërkesës së Prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com thuhet se i njëjti ka pranuar se me revole e kishte qëlluar viktimën.

Sipas deklaratës së të miturit të cilën e ka dhënë në hetuesi gjatë ditës së djeshme rreth orës 11:00 pak para vrasjes në rrugën e Gjilanit kishte shkuar për të takuar disa shokë dhe pas pesë minutave duke u kthyer në qytet më saktë te ‘Rrethi i Stacionit të Autobusëve’ kishte hyrë në një kafe ku më pas kishte parë që në të njëjtën kafe ishte viktima së bashku me një person tjetër.

Gjithmonë sipas kërkesës për paraburgim që ka siguruar KALLXO.com, i dyshuari në intervistën që ka dhënë ka thënë se viktima e kishte provokuar duke e shikuar në sy dhe duke e prek brezin.

17 vjeçari sipas Prokurorisë, është ngritur nga kafeneja dhe ka shkuar në drejtim të viktimës dhe kur ishte afruar ka nxjerrë armën nga brezi dhe me zë të lartë i është drejtuar viktimës: “Kthehu mbrapa” duke dashur që ta frikësoj.
Gjithmonë sipas Prokurorisë, i dyshuari kishte humbur kontrollin mbi armën dhe ka qëlluar viktimën i cili më pas është shtrirë për tokë.

Gjithashtu sipas kërkesës i dyshuari në fillim ishte larguar nga vendi i ngjarjes e më pas ishte dorëzuar në polici.

Sipas Prokurorisë 17 vjeçari veprën dyshohet se e ka kryer për shkak të hakmarrjes, ndërsa i njëjti më parë ka kryer edhe vepra të tjera penale dhe ka qëndruar një vit në mbajtje të masës edukativo institucionale në qendrën edukuese korrektuese në Lipjan.

Prokuroria ka vlerësuar se nëse i dyshuari qëndron i lirë mund të arratiset.

https://kallxo.com/vrasja-ne-ferizaj-arrestohet-i-dyshuari/