Foto-ilustrim

Paraburgim ndaj të dyshuarit për kanosje ndaj prokurorit të Ferizajt

Gjykata e Ferizajt ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit M.D. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale kanosja.

Sipas Gjykatës, i pandehuri dyshohet se më 2 prill 2019 në objektin e Gjykatës së Ferizajt, pas përfundimit të seancës gjyqësore në të cilën ishte në cilësinë e të dëmtuarit, me qëllim frikësimi ka kanosur seriozisht të dëmtuarin – prokurorin e shtetit Valdet Avdiu, i cili posa largohet nga salla e gjykimit dhe del në korridor në atë moment i pandehuri fillimisht fillon ta ofendojë Gjykatën dhe Prokurorinë, prokurori ia tërheq vërejtjen për sjelljen e tij, ndërsa i njëjti vazhdon me sjellje dhe fjalë arrogante.

Po ashtu, thuhet se  prokurori vazhdon deri te shkallët por i pandehuri përsëri i është afruar duke vazhduar të ngjitet shkallëve për katin e tretë, atëherë i njëjti fillon ta shajë dhe ofendojë.

Me këtë rast, prokurori përsëri ia tërheq vërejtjen se mundet të arrestohet dhe në atë moment i pandehuri i drejtohet me fjalë kërcënuese dhe vërsulet në drejtim të tij duke vrapuar.

Në këto rrethana, i dëmtuari vrapon për në katin e tretë dhe me të hyrë  në korridor e mbyll derën e korridorit me çelës me qëllim të mbrohet nga i pandehuri. Pastaj, i pandehuri tenton ta hapë me forcë derën por nuk arrin, me çka tek i dëmtuari ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe ankthit.

Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

“Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Ferizajt.

KALLXO.com raportoi për rastin e sulmit ndaj prokurorit.

https://kallxo.com/ferizaj-sulmohet-prokurori-brenda-gjykates/

www.kallxo.com