Paqja Afatgjate  në BE përmes Dialogut Kosovë - Serbi

Paqja afatgjate në Ballkanin Perëndimor përmes integrimit në Bashkimin Evropian është tema që shtjellon Arben Hajrullahu, profesor në departamentin e Shkencës Politike në Universitetin e Prishtinës, në librin e tij të ri.

Hajrullahu përmes këtij libri flet për procesin e integrimit në BE si mundësi për tejkalimin e konfliktit serbo-kosovar, si dhe një paqeje në Ballkan, përmes stabilizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Duke u nisur qysh nga koha e perandorive, Hajrullahu mundohet ta paraqesë arsyen e konflikteve që kanë lindur në Ballkan, dhe të japë përgjigje në lidhje me kushtet që BE-ja ka paraqitur për integrimin e Kosovës në BE.

“Nuk ka asnjë kusht më shumë se sa për vendet e tjera, të gjitha ato janë njësoj si me vendet tjera që kanë aplikuar për të hyrë në BE, kërkohet një gjyqësor i pavarur dhe pa ndërhyrje nga politika”, është edhe përgjigjja që Hajrullahu ia jep edhe njërit nga studentët i cili e pyet se a ka parashtruar BE ndaj Kosovës kushte të cilat nuk i kërkon diku tjetër.

Ndërtimi i paqes afatgjate si synim i shumicës prej palëve në zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, mbetet temë aktuale në rajon.

Për përmbajtjen e këtij punimi foli profesor Bekim Baliqi i cili tha se libri sjell pikëpamje të guximshme që zgjidhja e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet përmes integrimit evropian të të dy vendeve.

“Arritja e paqes së qëndrueshme shihet si rezultat i komunikimit dhe bashkëveprimit në trekëndëshin Kosovë- Serbi me BE-në”, tha Baliqi.

Sipas tij, edhe autorë të mëhershëm ndërkomëbëtarë,  integrimin e shohin në suaza të komunikimit, bashkëpunimit dhe përcaktimit të identiteteve dhe roleve të reja të aktorëve.

“Pra integrimi në këtë rast në libër trajtohet si mjet por edhe në të njëjtën kohë si qëllim paqeje dhe demokratizimi”.

Ndërsa vet autori Hajrullahu i cili prej vitesh merret me idenë e një forcimi të paqes në Ballkan përmes integrimit evropian, thotë se qëllimi i tij ka qenë që të jep kontribut për zgjidhjen e konfliktit serbo-kosovar, i cili shpesh paraqitet si i pazgjidhshëm.

“Shpresoj që edhe ky tekst do të kontribuojë në atë drejtim që të sqarohet dhe të jemi të vetëdijshëm edhe për këtë gjendjen se ku ndodhemi , pse jemi këtu dhe cilat do të ishin kërkesat”, tha autori i librit.

Libri fillimisht është botuar në gjuhen gjermane, ndërsa nga Fondacioni Konrad Adenauer është mundësuar botimi edhe në gjuhën shqipe dhe atë serbe.