Deputetja Shqipe Pantina - Foto: KALLXO.com

Pantina: Kam Dëgjuar Aktivistë ta Quajnë Kurtin 'Babë' e 'Komandant'

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina, e cila javë ma parë dha dorëheqje nga pozitat e saj në këtë subjekt politik, ka folur në një intervistë të gjatë për KALLXO.com në lidhje me arsyet e dorëheqjes dhe të ardhmen e saj politike.

Në intervistën e dhënë për KALLXO.com, Pantina edhe pse nuk ka votuar në zgjedhjet e djeshme, e ka uruar Albin Kurtin për postin e kryetarit, ndonëse këtë nuk ia ka thënë personalisht.

Edhe pse ka dhënë dorëheqje, Shqipe Pantina thotë se raportet personale e private me Kurtin do vazhdojnë të jenë miqësore.

Duke folur për problemet që e shtynë deri në dorëheqje, ajo thotë se kanë filluar në maj të vitit të kaluar, kur ka kuptuar për një mosmarrëveshje ideologjike ndërmjet Kurtit e Molliqajt e që sipas saj më vonë u transformua edhe në mosmarrëveshje personale ndërmjet këtyre dy figurave të rëndësishme në Vetëvendosje.

Ajo e ka vlerësuar si të pakuptueshme faktin që Kurti nuk ka reaguar asnjëherë ndaj fjalorit linçues të aktivistëve.

“Unë nuk kam asgjë kundër Albinit, por ndaj mendësisë ndaj së cilës Albini asnjëherë nuk u distancua”, tha në mes tjerash Pantina.

Sipas saj, në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Vetëvendosjes me grupin parlamentar, Kurti ka treguar se vendimin për të kandiduar e kishte marrë gjatë kohës sa kishte qenë në burg, pas intervistës së Visar Ymerit në një emision televiziv.

Pantina tregon se Dardan Molliqaj kishte kërkuar që të ketë një kryetar konsensual në Vetëvendosje, ku konsensuali nuk do të ishte as Kurti, as Ymeri e as ai, por dikush tjetër, e pastaj të ketë një garë ku secili të mund të kandidonte.

Ajo nuk beson se Vetëvendosje mund t’i kthehet normalitetit, ani pse Glauk Konjfuca dhe Shpend Ahmeti kanë marrë përsipër për t’i ‘pajtuar’ palët në konflikt.

Gjithashtu, deputetja Pantina në intervistën për KALLXO.com nuk e përjashton mundësinë e një grupimi të ri politik nga të dorëhequrit e Vetëvendosjes.

Shqipe Pantina thotë se i ka dëgjuar aktivistët e Vetëvendosjes duke e thirrur Albin Kurtin “babë” e “komandant”.