Dardan Gashi - Foto: KALLXO.com

Pandeli Majko propozoi dekorimin e Dardan ‘kaubojit’

Vetëm një ditë pas dënimit me gjobë prej 1.700 eurove nga Gjykata Themelore në Gjakovë- Dega në Malishevë të ministrit për Diasporë dhe Investime Strategjike, Dardan Gashi, pranoi një dekoratë nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Tedi Blushi nga zyra për media e presidentit të Shqipërisë ka dhënë shpjegime rreth dekorimit të ministrit kosovar nga i pari i shtetit shqiptar.

Blushi ka thënë se dekorata ka ardhur pas një kërkese të bërë nga ministri i Diasporës në Qeverinë e Shqipërisë, Pandeli Majko.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, duke u mbështetur në kërkesën dhe dokumentacionin bashkëlidhur, të përcjellë nga ministria e Shtetit për Diasporën, firmosur nga ministri i Shtetit për Diasporën, z.Pandeli Majko, si dhe duke u bazuar në nenet 92, pika ç dhe neni 93 të Kushtetutës, si dhe nenit 7 pika 7 të ligjit nr.112/2013, datë 04/04/2013, “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka dekoruar dhënien e titullit “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” për Z. Adnan Dibrani, Z. Dardan Gashi dhe Z. Edmond Ademi”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media në presidencën e Shqipërisë.

Tutje Blushi ka shpjeguar edhe kërkesën e bërë nga Pandeli Majko në adresë të Presidencës shqiptare.

“Në propozimin e Tij zyrtar, ministri Majko specifikon gjithashtu që: “Dhënia e këtyre titujve është menduar si një nga aktivitetet me rëndësi të veçantë në Samitin e Dytë të Diasporës, i cili do të mbahet në datat 28 shkurt – 02 mars 2019”, ka thënë Tedi Blushi për KALLXO.com.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka komentuar dënimin e dy ministrave të kabinetit të tij.

Sipas kreut të ekzekutivit kosovar vendimi i Gjykatës për dënim me gjobë nuk ka lënë hapësirë për veprime politike.

Haradinaj ishte deklaruar se do të marrë masa ndaj ministrave të cilët janë akuzuar në kohën sa kanë mandat në qeverinë e tij.