Pandeli Majko | Foto: Facebook

Pandeli Majko Pranon se ka Njerëz që Shesin Votën në Shqipëri

Ministri për Diasporën, Pandeli Majko foli në seancën e djeshme parlamentare në lidhje me akuzat për shitblerjen e votës dhe u përfshi në debatin mes palëve, të cilat e quanin njëra-tjetrën “të inkriminuara”.

Ai pranoi publikisht se në Shqipëri ekzistojnë disa njerëz që shesin votën, por sipas tij kjo gjë nuk e justifikon humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhje dhe rënien e saj për 200 mijë vota.

“Po, në Shqipëri është krijuar një shtresë njerëzish që shesin votën, por duhet ndarë kjo punë, keni marrë 200 mijë vota më pak për ndonjë arsye tjetër, apo se krimi, mafia, droga, paratë e kanabisit kanë ndikuar në këto vota. O jeni viktimë, o ka ndodhur diçka tjetër. Çfarë ka ndodhur në Shqipëri me krimin, krimi i organizuar në vend, krimi i kristalizuar nuk është as me PS as me PD nuk i zgjedhim ne, na zgjedhin ata, kjo ndodh në disa zona të caktuara”, tha Majko.

Ai u bëri thirrje të gjithëve që të kuptojnë se ka nisur një proces shumë i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët, siç është vetingu, i cili do të mund të ndëshkojë të gjithë personat që kanë lidhje me krimin e organizuar dhe të vendosë rregull në vend.

“Duhet ta kuptojmë që në një parlament ku ka më shumë kuptim batuta sesa një diskutim serioz, ne po na vdes fjala. Është mirë që të kuptojmë që ky vend ka filluar një proces të rëndësishëm, po bëhet vetingu, që do vërë prapa hekurave ata që janë të lidhur me krimin e organizuar”, tha Majko në Kuvendin e Shqipërisë.