Prishtina - Foto: AP

I Pandalshëm Deficiti Tregtar

Deficiti tregtar i Kosovës po thellohet nga muaji në muaj. Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në publikimin e saj thotë se në muajin shtator Kosova shënon një deficit më të lartë tregtar.

“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për (2.2%) në muajin shtator 2016, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2015, gjegjësisht në vlerë prej 211,0 milionë € krahasuar me deficitin 206,4 milionë € ne vitin 2015. Eksporti mbulon importin (9.3%),” thuhet në publikim.

Në bazë të të dhënave të ASK-së, eksporti i mallrave në muajin shtator kishte vlerën 21,6 milionë euro, ndërsa importi 232,6 milionë euro. Kjo tregon një rënie prej (-11.2%) për eksport si dhe një rritje prej (0.8%) për import në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Metalet bazë dhe artikujt e tyre me 32.3 për qind dominojnë në eksportin e muajit që lamë pas.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesor të eksportit: (32.3%) e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (13.7%) plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, (11.6%) produktet minerale, (11.1%) ushqimet e përgatitura,pijet dhe duhani, (8.9%) produktet bimore, (3.3%) artikuj të ndryshëm të prodhuara, (3.0%) makineri, pajisje mekanike dhe elektrike, (2.9%) tekstil dhe artikuj tekstili etj,” shpjegohet në publikim.

Sipas publikimit, Kosova importon më shumë ushqime të përgatitura, pije e duhan.

“ Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesor për import: (13.1%) të importit e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (12.5%) produktet minerale, (10.9%) makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, (9.9%) metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (8.4%) produkte të industrisë kimike, (7.3%) mjetet e transportit, (6.5%) plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre etj,” bëhet e ditur në publikim.

Tregtia e jashtme me 28 vendet e BE-së

Shkëbmimi tregtar me vendete e BE-së, kishte rritje në favor të importeve për Kosovën, e rënie në eksportin e saj.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së-28 arritën në 5,8 milionë €, ose rreth (27.1%) të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-21.9%). Partnerët kryesorë per eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (7.2%), Holanda (4.7%), Bullgaria (3.6%), Italia (2.5%),” tregon publikimi i ASK-së.

M e 5.8 për qind u rritën importet nga vendet e BE-së.

“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së-28 ishin rreth 101,6 milionë €, ose (43.7%) të importeve të përgjithshme, me një rritje prej (5.8%). Importet me pjesëmarrje me te lartë ishin nga: Gjermania (12.3%), Italia (6.9%), Greqia (5.6%), Polonia (2.5%) etj,” vijojnë statistikat e publikimit.

Tregtia me vendet e CEFTA-s

Në muajin e kaluar, importet u rritën edhe në shkëmbimin e mallrave me vendet e CEFTA-s. Ndërsa eksportet ranë.  Në eksportin e mallrave, Shqipëria është partneri kryesor me pjesëmarrje 19.3 për qind.

“Në muajin shtator 2016 eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 10.6 milionë €, ose (49.0%) të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-2.3%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (19.3%), Maqedonia (15.9%), Serbia (7.5%) dhe B&H (3.4%),” tregohet në publikim.

Serbia vazhdon të jetë eksportuesi më i madh në Kosovë, me pjesëmarrje 15.2 për qind.

“Ndërsa importet nga vendet e CEFTA-s në muajin shtator 2016 arritën në 66,0 milionë €, ose (28.4%) të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-8.2%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (15.2%), Maqedonia (6.0%), Shqipëria (4.1%) dhe B&H (2.5%),” njofton publikimi.

Sipas ASK-së edhe në tregtinë e jashtme me vendet tjera të botës, importet ishin më të larta se eksportet dhe partnerët kryesorë ishin Zvicra, Turqia dhe Kina.

“Eksportet e Kosovës me vendet tjera të botës  arritën në 5,1 milionë €, ose (23.8%). Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vendet për eksport vlen të përmenden: Zvicra (5.5%), India (2.3%). Ndërsa importet e Kosovës me vendet tjera arritën në 65,0 milionë €, ose (27.9%). Vendet me pjesëmarje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (9.0%) dhe Kina (8.9%),” sqaron publikimi i ASK-së.

Importi në vazhdimësi është më i lartë se eksporti në tregtinë e jashtme të Kosovës.

http://kallxo.com/tregtia-e-kosoves-ne-korrik/

http://kallxo.com/importet-ngulfaten-eksportet-ne-muajin-gusht/