Pamje nga aksioni i Policisë së Shtetit në Tiranë, Foto: Facebook

Pamjet qytetari duke i dhënë para policit

Policia e Shqipërisë ka njoftuar për një tjetër aksion të suksesshëm në Tiranë kundër dhënies së mitove, me ç’rast është arrestuar një person nën dyshimin për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në njoftimin e Policisë së Shtetit, përmes Facebook-ut thuhet se Policia Rrugore e Tiranës ka goditur një rast tjetër të ryshfetit

“Në funksion të patrullimeve me përzgjedhje për personat që drejtojnë mjetet pas përdorimit të alkoolit, rrugorët e kryeqytetit gjatë fundjavës, kanë ndaluar në rrugën ‘Don Bosko’ drejtuesin e mjetit me iniciale A. B, 40 vjeç, i cili gjatë kontrollit policor, me qëllim shmangien e testimit për alkool, i ka ofruar agjentit verifikues një shumë lekësh”, thuhet në njoftim.

Në këto kushte,  efektivët e Policisë Rrugore, kanë bërë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të mjetit, për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

“Gjatë javës që lamë pas, si rezultat i shtimit të kontrolleve janë evidentuar dhe goditur edhe dy raste të tjera të mitdhënies”, thuhet më tej në njoftim.